Parlamenti Rinor ka hedhur një ide interesante për t’u ardhur në ndihmë të gjithë nxënësve, në kohën kur mësimi në shkolla zhvillohet i alternuar edhe online. Periudha e pandemisë ka detyruar Ministrinë e Arsimit së bashku me Komitetin Teknik të rishikojnë masat parandaluese ndaj pandemisë, ndaj edhe periudha e festave është zgjatur për ata që janë në shkollë.  

Nxënësit tashmë po shijojnë këto ditë pushimi, por një dhuratë vjen pranë Vitit të Ri. Nisma “Digjitalizo një nxënës” është ideja më e re e mbështetur nga Bashkia e Tiranës, e cila synon që përmes solidaritetit, të ndihmojë nxënësit të kenë mjetet e duhura për të ndjekur mësimin në platformat digjitale. Nisma e ideuar nga Parlamenti Rinor ka nisur me gjimnazin “Sami Frashëri”, dy nxënësit e parë të të cilit përfituan nga një tablet i cili do t’u vijë në ndihmë për mësimin online.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ftoi këdo që ka mundësi t’i bashkohet nismës, që të bëhet pjesë e një akti solidariteti në këto kohë të vështira. “Jam shumë krenar për ju, është një ide fantastike! Më mirë të flasim me shembuj, sesa me fjalime pafund. Fakti që Parlamenti Rinor ka vendosur të jetë praktik duke propozuar një nismë konkrete, ku një nxënës ‘adopton’ një nxënës tjetër duke i dhuruar një tabletë digjitale – dikush mund ta ketë të përdorur, dikush e ka të re, ose dikush që i ka mundësitë ekonomike blen edhe një për vete, edhe një për shokun a shoqen – por, kur secili përfshihet në një nismë të tillë, mund ta quajmë një histori suksesi. Është vërtet gëzim i madh të marrësh, por jam i bindur se është edhe shumë gëzim të japësh – e ndoshta, më gëzim është të japësh sesa të marrësh”, tha Veliaj.

GIF Image

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here