Nata e ndërrimit të viteve do jetë shumë më ndryshe nga vitet që kemi lënë pas, pasi si pasojë e pandemisë Komiteti i Ekspertëve ka vendosur një fashë orari kufizues. Qytetarët e kanë të ndaluar që të dalin pas orës 20:30, një orar që ndalon këdo të dalë jashtë e të festojë familjarisht apo të shijojë hedhjen e fishekzjarreve.
Kryebashkiaku Erion Veliaj zbuloi sot detaje nga surprizat që po përgatiten për natën e ndërrimit të viteve. Në kushtet e një viti të pazakontë, ku vendi ndodhet në orë policore e cila nis prej 20:30 të mbrëmjes, Veliaj tha se festa këtë vit nuk do të jetë më e qendërzuar, por do të shtrihet në 11 njësitë administrative të kryeqytetit, për ta sjellë atë në çdo lagje.
“Të gjithë e kuptuam edhe vjet pas tërmetit. Na vjen një fatkeqësi, po jeta vijon për hir të fëmijëve. Kemi bërë një propozim, festa do shkojë te njerëzit. Do kemi 11 vende publike, ku do të kemi një spektakël fishekzjarresh. Çdo kush do ketë ndjesinë e festës, do shpërndahet në lagjet e Tiranës. Në mesnatë kur hidhen fishekzjarret, çdo kush do e shijojë nga ballkoni i vetë”, tha Veliaj.