Personaliteti i shquar i lëvizjes për çlirim kombëtar, atdhetari i dalluar e punëtori i palodhur i çështjes shqiptare, arumuni Dhimitër Emanoil (Mborja) ka lindur në fshatin Mborje të Korçës më 1884.
Bashkë me të atin dhe vëllezërit, në moshën 16-vjeçare emigron në Bukuresht. Babai i tij, tregtari Viskë Mborjari, kur u shpërngul nga Mborja, shtëpinë e tij ia dhuroi këtij fshati për shkollë shqipe. Në mërgim Dhimitri ndihmon të atin në një restorant të vogël në Bukuresht.
Në vitin 1908, krahas librave fillon t’u përkushtohet veprimtarive me karakter patriotik. E shohim anëtar të shoqërisë “Dituria” të Korçës më 1908 e më pas zgjidhet mjaft herë si kryetar i shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit. Boton e shpërndan programin e komitetit të fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”, themeluar në Gjirokastër nga Bajram Fehmi Gjirokastra (Bajo Topulli). Merr pjesë në mbledhjen e Bukureshtit në hotel “Kontinental”, ku zgjidhet delegat i kolonisë së Bukureshtit në ngjarjen e ngritjes së flamurit.
Së bashku me vëllain e tij, Pandeli Emanoil, shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Ditën e shënuar të 28 nëntorit 1912, Dhimitër Mborja firmon aktin e pavarësisë me siglën “Dh Emmanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit.
Në dhjetor të vitit 1912 bashkë me Dhimitër Zografin, shkon në Brindisi e më pas vjen në Korçë. Më 1914 e shohim bashkë me vëllain e vogël, Nuçi Emanoil, në krah të Themistokli Gërmenjit, pas një kërkese që ky i fundit iu bën vëllezërve Emanoil (Mborja).
Dhimitër Emanoil ka harxhuar pasuri dhe është persekutuar për çështjen shqiptare si veprimtar i saj. Më 27 nëntor 1992, me numër dekreti 372, i jepet Dhimitër Emanoilit urdhri “Për veprimtari patriotike” i klasit të parë me motivacionin “Atdhetar i dalluar i lëvizjes kombëtare që ka dhënë një kontribut të madh për forcimin e shtetit të pavarur shqiptar”.
Siç u tha edhe më lartë, nga vëllezërit Emanoil, në Kuvendin e Vlorës më 1912 ka marrë pjesë edhe Pandeli Emanoil.