“Rumunët kanë pak a shumë të njëjta karakteristika si shqiptarët; mikpritës, shoqërorë dhe të afrueshëm”. Ky pasazh na tërhoqi vemendjen gjatë intervistës me Eriola Dinescu Vejsiu, e cila gjeti kohën që të shkëputej nga angazhimet e saj profesionale dhe jo vetëm, për të ndarë me ndjekësit e ‘arumun.com’ historinë e saj. Ajo rrëfen se mori iniciativën për t’u larguar nga Shqipëria, vendlindja e saj, që në moshën 18-vjeçare. Por pas martesës, jeta e saj mori një tjetër rrjedhë. Bashkëshorti i saj punon në fushën diplomatike. Jeta e saj familjare në lëvizje, e kanë bërë që të përshtatet mjaft shpejt dhe ti marë më të mirën gjithë kësaj që po përjeton. Po si nisi e gjitha kjo? Eriola flet pa ‘doreza’ në këtë intervistë ekskluzive në portalin ‘arumun.com’, se ka kryer studimet në Rumani, aty ku dhe ka ndërtuar familjen e saj të shtrenjtë. Tashmë ky vend mund të emërtohet pa frikë si një ‘shtëpi’ për të, ku çdo gjë që ka ngritur, është shoqëruar në këtë rrugëtim të jetës plot dashuri. Teksa ka gjetur vetveten në Rumani, ajo tregon se për asnjë çast nuk është ndier e huaj.

Profesioni i bashkëshortit ka sjellë në jetën e tyre një tjetër frymë. Jetesa jashtë Rumanisë, e cila është e lidhur ngushtësisht me komunitetin diplomatik dhe ndërkombetar të vendeve ku jetojnë, i kanë dhënë një tjetër peshë. Por krejt natyrshëm, ajo ka për të çuar një mision në fund. Këtu i referohemi promovimit të Rumanisë jashtë territorit të saj. Ajo aktualisht ndodhet në Lituani së bashku me familjen e saj, bashkëshortin dhe djalin.

Përpos bërthamës së familjes, një pjesë tjetër janë edhe arritjet profesionale. Mjaft modeste në këtë intervistë, Eriola Dinescu Vejsiu shprehet se aktualisht koordinon projekte bamirësie në bazë të të cilave qëndron bashkëpunimi. Por ajo nuk mund të ri larg artizanatit, për të cilën flet me mjaft pasion e që e përmbush atë. Me një gjuhë të kulluar të cilën nuk e ka harruar ndonëse prej një kohe të gjatë ndodhet larg, Eriola thotë se gjithçka lidhet me një lloj terapie relaksi dhe në fund del objekti final, që justifikon punën e durimin.

Le të nisim nga si është atmosfera aty ku jeni duke jetuar tani? Kjo është një periudhë me plot pasiguri, por sipas teje, si janë duke e përballuar njerëzit këtë?

“Situata lidhur me pandemine në Lituani, deri në fund të kësaj vere, nuk ka qenë kaq serioze në krahasim me vende të tjera të Europës. Si pasojë, pas mbarimit të karantinës së parë, jeta dhe atmosfera kanë qenë relativisht normale. Sigurisht, njerëzit vazhduan të marrin masa për të mbrojtur veten e tyre dhe të tjerët rreth tyre.

Besoj se aspekti më pak i këndshëm gjatë karantinës së parë, ishte zhvillimi i shkollës on-line, duke ndikuar drejtpërdrejtë në nivelin e socializimit midis fëmijëve, perveçse privimit të tyre nga një arsimim normal dhe nga të gjitha aktivitetet jashtëshkollore.

Megjithëse presioni i shkaktuar nga covid-i ishte i dukshem, vera kaloi relativisht normale dhe pushimet tona verore nuk ndryshuan pothuaj aspak nga ato të viteve të kaluara. Megjithatë, kjo verë n’a la shijen e hidhur të pamundesisë për të vizituar familjet tona në Shqipëri dhe Rumani.

Në tetor situata në Lituani u përkeqësua dhe në ditet e para të nëntorit njerëzit filluan t’i nënshtrohen një karantine të dytë. Megjithëse regjimi i kasaj karantine është më i lehtë se sa i pari, situata epidemiologjike është më serioze. Për këtë arsye, megjithëse rregullat janë më pak kufizuese në krahasim me karantinën e parë, njerëzit po e përjetojnë më ndryshe dhe më seriozisht. Si pasojë, njerëzit më duken gjithnjë e më pak të duruar, më të shqetësuar, më nervoze. Mbyllja për herë të dytë e disa aktiviteteve të rëndësishme që ndikojnë drejtëpërdrejtë në jetën sociale, ekonomike si dhe në shëndetin mendor të individit, bën që jeta të humbasi gjithnjë e më shumë aspektin e saj normal.

Paaftësia për të bërë plane të çfaredolloj afati, i bën njerëzit edhe më të pasigurtë.

E verteta është se sado optimista të jemi, jeta ka ndryshuar për të gjithë dhe të gjithëve n’a duhet të përshtatemi. E rëndësishme është sa i aftë është gjithsecili për t’u përshtatur”.

Arti i të thururit apo konceptuarit të bizhuterive. Çfarë të tërhoqi tek puna që bën? Domethënë ka qenë një pasion i fshehur, i lënë në hije apo diçka që lindi rastësisht?

“Artizanati më ka tërhequr gjithmonë, por deri në momentin kur zbulova këtë pasion, nuk e kisha menduar se mund edhe ta praktikoja. Në rastin tim, mund të them që artizanati erdhi tek unë fare rastësisht. Nuk e mendova atëherë se ky angazhim dhe dëshirë, të cilat i mendova të përkohshme, do të trasformoheshin në një pasion të madh. Që nga ai moment, fillova të studioj dhe të prakikoj teknika të ndryshme. Për fat të mirë, në ditët e sotme mund të mësosh shumë nga interneti, ndërsa unë jam një person shumë autodidakt.

Për mua është një lloj terapie relaksi. Pikënisja është një copë argjile (materiali me të cilin punoj) dhe objektivi final një pjesë bizhuterie unike, përmes një procesi transformimi kompleks i cili kërkon shumë përqendrim dhe durim”.

Besoj se lexuesit tanë do të donin të të njihnin më shumë. Si do t’jua kishe prezantuar Eriolën?

“Jam nje person shumë i thjeshtë. Dhe me fat që jam e rrethuar nga njerëz qe i dua dhe më duan shumë. Diku kam lexuar se dashuria në jetë mësohet dhe është më se e vërtetë. Unë dhe motra ime kemi pasur fatin të rritemi në një familje plot dashuri, ku prindërit tanë na kanë mesuar çfare eshte dashuria dhe sa e rëndësishme është të shprehësh ndjenjat e tua. 

Kam gjithmonë objektiva të qarta në jetë, dhe atëherë kur diçka e dua me gjithë shpirt dhe me gjithë fuqinë e zemrës sime, bëj të pamundurën për t’a realizuar. Njëkohësisht dhe paralelisht, jam gjithmonë në kerkim të një jete të ekuilibruar.

Fakti që jam larguar nga shtëpia dhe vendi im që në moshën 18 vjeçare, si dhe jeta jone e tanishme familjare në levizje, më kanë bërë të jem një njeri që pershtatem relativisht shpejt.

Jam njeri pozitiv dhe vlerësoj të bukurën dhe shijen e mirë në çdo fushë të jetës.

Më pelqen të kaloj kohë me familjen time, të udhëtojmë së bashku në vende të afërta apo të largëta, por edhe të rrimë qetësisht së bashku përpara TV, për të parë një komedi që të na bëjë të gjithëve të qeshim me të madhe.

Më pelqen të bej sport (kryesisht të bej vrap dhe notoj). Të dyja këto aktivitete më japin një ndjenjë lirie dhe relaksimi të jashtëzakonshëm. Kam marrë pjesë në një numër jo të vogël semimaratonash ndërkombetare dhe çdo finish më ka dhënë një lloj kenaqesie të veçantë.

Më pëlqen të shëtis në park me djalin tim, të gatuaj një drekë të shijshme për familjen time, të shikoj një film të bukur, të lexoj një libër të mirë, apo të pi nje cappuccino në një nga kafenetë e rrugicave të Vilniusit”.

Cili është vendi që zë Rumania tek ti? Çfarë të përbashkëtash gjen mes shqiptarëve dhe rumunëve?

“Kam studiuar dhe themeluar familjen ne Rumani, kështu që ketij vendi nuk mund t’i them ndryshe perveçse “shtëpi”. Nuk jam ndier asnjëherë e huaj, as në jetën sociale dhe as në atë profesionale (perveçse ndoshta në fillim të karrierës sime profesionale, fillimi i viteve 2000, kur të gjeje punë si juriste në Rumani pa pasur nënshtësine rumune dukej kaq e pamundur).

Duke qenë se bashkëshorti im punon në fushën diplomatike dhe një pjesë të jetës sonë e kemi kaluar/ po e kalojme jashtë Rumanisë (jeta jonë e viteve të fundit është e lidhur me komunitetin diplomatik dhe ndërkombëtar të vendeve ku jetojmë), mundohem të kem një ndikim dhe rol sa më aktiv dhe pozitiv në lidhje me promovimin e Rumanisë jashtë territorit të saj.

Përsa i përket aspektit shpirtëror të rumunëve, kanë pak a shumë të njëjta karakteristika si shqiptarët: mikpritës, shoqërorë, të afrueshëm”.

Në projektet e tua a qëndrojnë bashkëpunimet, apo këto janë projekte individuale?

“Kjo ndryshon nga një projekt në tjetrin. Gjatë karrierës sime profesionale, kam punuar si në kompani multikombëtare në projekte që kërkojnë bashkepunim, si dhe në Organizata Joqeveritare në projekte terësisht individuale.

I përshtatem mirë edhe punës individuale dhe asaj në skuader dhe jam e aftë t’i bëj paralelisht kur është e nevojshme.

Aktualisht koordinoj projekte bamirësie në bazë të të cilave qëndron bashkëpunimi.

Njëkohësht nuk mund të qëndroj larg artizanatit, ushtrimi i të cilit është diçka krejt personale dhe individuale”.

Cilat janë aktivitetet ku merr pjesë dhe a ke ndonjë të preferuar?

“Jeta diplomatike të ofron shumë mundësi aktivitetesh. Gratë që shoqërojnë bashkëshortët e tyre në këto misione diplomatike, janë të lira të zgjedhin shkallën e implikimt në jetën lokale si dhe atë diplomatike dhe ndërkombëtare. Eshtë në natyrën time të jem aktive dhe gjithmonë në lëvizje, por në të njëjtën kohë implikimi është një lloj “detyre morale” që ndjej përpara shtetit rumun si edhe komunitetit lokal dhe ndërkombëtar ku bëj pjesë.

Për momentin bëj pjesë në Boardin drejtues të “International Ëomen’s Association of Vilnius”, një shoqatë ndërkombëtare bamirësie që mbledh rreth vetes 100 gra të kombësive të ndryshme.  Pozicioni im si “koordinator bamirësie” (“charity coordinator”) më jep mundësinë të analizoj aplikacione të ndryshme bamirësie, të vizitoj një numer jo të paktë organizatash në Lituani, të organizoj dhe koordinoj projekte/ aktivitete të ndryshme bamirësie. 

Jam gjithashtu pjesë e Komitetit Drejtues që merret me organizimin e “International Charity Christmas Bazaar” (një projekt që bashkon të gjitha ambasadat në vend, të cilat paraqisin objekte dhe produkte sa më tradicionale të shteteve përkatëse, ndërsa shumat e fituara përdoren nga organizatorët për qëllim bamirësie). Duke qenë se vetëm pak ditë n’a ndajnë nga ky panair, kjo është një periudhë shumë e ngarkuar, por njëkohesisht shumë interesante dhe e bukur. Do shtoja, edhe shume provokuese, duke qenë se për shkak të covid-it, je i rrethuar nga pasiguria dhe nga paqëndrueshmëria”.

Jeta jote ndahet mes udhëtimeve. Cilat janë emocionet më të bukura që ke përjetuar nga këto përvoja?

“Udhëtimet janë gjithmonë një eksperiencë e bukur për familjen tonë. Pas një udhetimi kthehesh më i pasur mendërisht dhe shpirtërisht. Dhe një rast perfekt për familjen, për t’iu dedikuar komplet njëri – tjetrit.

Ishujt e largët si Karaibe apo Seychelles i kam shumë për zemër. Me duket sikur shkeputem terësisht nga bota reale dhe hyj në një botë tjetër, si brenda një përralleje, me ngjyra dhe peisazhe që të bëjnë të shkëputesh për disa momente nga realiteti tokësor.

Më pëlqen të hypim në makinë dhe të bëjmë “car trips” duke ndaluar nga nje vend në tjetrin. Gjatë kësaj vere vizituam vendet baltike, duke u njohur keshtu me nga afër me kulturën, historinë, arkitekturën, gastronominë e këtyre vendeve.

Një nga vendet që më ka bërë shumë pershtypje dhe ku mezi pres të rikthehem është Doha, Qatar, për shkak të ndryshimit kulturor rrënjësor, por edhe për shkak të eksperiencave turistike që të fal.

Duke qenë se kemi jetuar përafersisht 6 vjet në Kroaci, kemi pasur mundesinë të bëjmë shumë udhëtime jo vetem brënda Kroacisë, por në të gjthë rajonin. Me Zagrebin më lidhin shumë kujtime të mrekullueshme, dhe ka një vend shumë të veçantë në zemrën time”.

Në jetën tënde si grua, një vend qëndror me siguri zë ai i nënës. Si ka ndryshuar jeta jote në këto 10 vitet e para me Matein? Sa e njeh ai Shqipërinë dhe si ja shpjegon fëmijërinë tënde? Si ja ke shpjeguar psh: pse pikërisht zgjodhe të studioje në Rumani.

“Çdo gjë dhe gjithçka ndryshoi në momentin qe u bera mama. Mundohem te jem çdo dite një person më i mirë dhe më pozitiv, në radhë të pare për djalin tim. Jemi gjithmonë në kontakt me Shqiperinë dhe familjen time në Shqipëri. Matei e njeh shumë mirë origjinën e tij dhe flet shqip rrjedhshëm. Komunikimi im me djalin ka qenë dhe vazhon të jetë ne gjuhen shqipe (sigurisht që gjuha e përbashkët në familje është rumanishtja). Në fakt, fjalët e tij të para si bebe, kanë qenë në gjuhën shqipe.

Nuk largohemi asnjëherë nga Shqiperia pa blerë ndonjë libër në gjuhën shqipe.

Fëmijërinë time ia shpjegova siç i shpjegoj çdo gjë tjetër: gjithmonë të vërtetën në mënyrë të thjeshtë, në pershtatshmeri me moshën e tij. I them se në fëmijerinë time nuk kishim të njëjta mundësira si tani, nuk mund të udhetonim lirshëm, nuk kishim lodrat që ekzistojnë tani dhe as teknologjinë e sotme. Por, që çdo ditë, mbidheshim gjithë femijët e lagjes dhe luanim “poshtë pallatit” deri në piken e fundit të fuqisë. Dhe se prindërit tanë bënë të pamunderen, që në një vend ku mungonte pothuaj gjithçka, ne femijëve të na mos mungonte pothuaj asgjë.

Në një nga vizitat tona në Tiranë para ca kohesh vizituam muzeumim “Bunkart”, i cili i beri shumë përshtypje. Sigurisht qe u mundova t’i shpjegoj aq sa mund të kuptojë dhe aq sa eshte e nevojshme për moshën e tij.

Faktin që pse shkova të studioj në Rumani, ia shpjegova thjesht: oportunitet më i mirë për t’u edukuar, një sistem arsimor i një cilësie më të mirë.

Vetë Matei dëshiron që kur të mbushë 18 vjeç të studiojë në Kinë. I duket magjepse çdo gjë që ka parë dhe lexuar mbi këtë vend (megjithëse në Kinë nuk kemi qenë asnjëherë….)”.

Ke ndonjë mesazh që do të doje ta ndaje me lexuesit tanë?

“Meqënëse po flisnim më sipër për Matein, edhe mesazhin tim po e lidh me diçka që i përsëris shpesh tim biri, por edhe vetes time: “Mos u shqetëso pas gjërave që të mungojnë, por gëzoju në maksimum atyre që ke. Mos u krahaso asnjëherë me të tjerët, por krahasohu gjithmonë me veten tënde. Mos u përpiq të jesh perfekt, por përpiqu të jesh varianti yt më i mirë”.

Intervistë nga Marsela Sinani

GIF Image

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here