“Profesionistët shqiptarë të formuar në universitetet rumune, sot në pozita mjaft të rëndësishme të institucioneve shqiptare”
Intervistë me gazetarin Ergys Gjençaj
Ai është sot një nga zërat më të njohur në gazetarinë shqiptare. I diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë dhe të Shkencave të Komunikimit (FJSC) të Universitetit të Bukureshtit, Ergys Gjençaj ka ndërtuar dita-ditës pas përfundimit të studimeve, profilin e gazetarit bashkëkohor ku saktësia në përcjelljen e mesazheve dhe serioziteti me të cilin i drejtohet opionionit e bën atë një figurë të dashur të ekranit informativ.
Ndiqni në vijim bashkëbisedimin tonë:
1. Pas kaq vitesh në profesion, si gazetar i njohur tashmë, me vite kontribute në gazetarinë bashkokohore shqiptare, sa mendon se të ka ardhur në ndihmë Fakulteti ku ke studiuar?
Padyshim që studimet universitare janë baza mbi të cilat një gazetar (në rastin tim) nis e ndërton atë që mund të thuhet si ngrehina e njohurive të puëns së tij. Kam pasur fatin të kem profesorë të zotë akademikë dhe kapacitete të medias rumune, përmes të cilëve njohuritë e marra prej tyre më kanë ndihmuar shumë në punën time. Patjetër që më pas vetë puna në terren ka bërë të sajën, ku përmes ndërthurjes me njohuritë nga studimet, besoj se është krijuar një tablo e plotë e profesonit.
2. A ndodh të të vijë në mendje periudha e studimit dhe nëse po cilat janë kujtimet e para që të vijnë?
Padyshim që kujtimet janë të shumta të bukura, por ka edhe momente disi të vështira pse jo. Pyetjes po i përgjigjem me çka më erdhi në mendje menjëherë sapo e lexova atë. Në vitin e parë të Fakultetit të Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit (FJSC) të hënave në orën 8 të mëngjesit kishim seminar në lëndën: “Scritura de Presa” me Prof. Cristian Popescu. Unë banoja diku pranë “Piata Sudului” dhe për të mbërritur në Fakultet që gjenden në “Leu” më duhej të zgjohesha rreth orë 5 e 30 dhe të merrja metronë e të ndërroja dy herë linjat, nga Sudului në Unirea, më pas nga Unirea në Eroilor për të mbërritur në Leu. Dhe të mendosh që dilja me natë nga shtëpia në dimrin e ftohtë të Bukureshtit për të mbërritur në orar në Fakultet, nuk ishte ndonjë sport që mund të praktikoje me dëshirë. Tani që e kujtoj, me nostalgjinë atyre viteve, them se do e bëja përsëri atë “sakrificë” mëngjesi dimëror bukureshtean.
3. Sot ke një familje të re dhe detyrat e tua tashmë janë shtuar edhe në këtë drejtim. A do t’jua kishe sugjeruar vajzave të tua studimin në një universitet jashtë kufijve dhe nëse po, cfarë mendon se nuk do ta gjejnë ato këtu?
Duke iu përgjigjur pyetjes me statusin e prindit verbërisht e pranoj, si çdo prind në botë se gjithkush kërkon më të mirën për fëmijën e tij. Jeta është si një ushtrim që gjithnjë kërkon zgjidhje e meqenëse bota ndryshon shpejt përgjigja që mund t’i japësh sot, të nesërmen do jesh i prirur ta ndryshosh, për hir të më së mirës për fëmijët.
Po, unë do i kisha sugjeruar famijëve të mi të studionin jashtë vendit. Flas gjithmonë për studimet universitare. Kjo për të marrë një formim më të plotë, pasi me çka arrij të vë re këtu në Shqipëri, mungon shumë kërkimi shkencor në universitete. Dhe kërkim shkencor nuk është e thënë që me patjetër duhet bërë vetëm nga profesorati, por edhe nga studentët me qëllim që të thellojnë njohuritë e marra në auditore.
4. Si janë lidhjet e tua me Rumaninë sot?
Lidhjet e mia direkte me Rumaninë, për fat të keq mund të them se janë të pakta. Kam komunikime, jo të shpeshta, përmes rrjeteve sociale me kolegë të Fakultetit si dhe lexoj kur kam kohë mediat rumune online.
5. Cila ka qenë përiudha më e vështirë qe ke kaluar pas përfundimit të studimeve?
Periudha më e vështirë pas studimeve ka qenë pikërisht ditet, javët dhe muajt e parë që u ktheva në Tiranë për njëherë e mirë. Gjithnjë kur kthehesha me pushime në shtëpi, ishte bukur dhe kalohej shumë mirë, pasi e dija se do rikthehesha në Bukuresht. Por kur kthehesh dhe e di që ishte udhëtimi i fundit Bukuresht-Tiranë, duhet një periudhë për të bërë paqe me veten dhe pajtuar me faktin se pak pak javësh nuk do marrësh sërish rrugën Tiranë-Bukuresht.
6. A je ndjerë ndonjëherë i paragjykuar kur vjen fjala tek institucioni ku ke studiuar se “Rumania është lindje”?
Nuk po zgjatem me përgjigjen. JO!
7. Çfarë vendi mendon se zënë profesionistët shqiptarë të formuar në institucionet rumune në tregun shqiptar të punës?
Shumë të rinj shqiptarë të brezit tim kanë studiuar jashtë vendit, Itali sidomos, Francë, Angli, Greqi etj. Por sa i takon profesionistëve shqiptarë të formuar në universitetet rumune, mund të them se janë në pozita mjaft të rëndësishme të institucioneve shqiptare. Mund të më pyesësh për një fushë dhe do të të jap jo një, por më shumë se një emër shqiptari që ka studiuar në Rumani.
8. I ndjek zhvillimet në Rumani, a i ndjek mediat rumune?
Patjetër që i ndjek zhvillimet në Rumani. Lexoj media rumune dhe përpiqem të jem në kontakt me zhvillimet më të rëndësishme atje. Periudha që nuk e kam ndarë telefonin apo tabletin nga dora për të ndjekur “live” zhvillimet në Bukuresht ka qenë ajo e protestave masive qytetare kundër ndryshimeve ligjore në sistemin e drejtësisë rumune. Reagimi qytetar më së shumti solli një krenari deri diku për mua personalisht të shpjegueshme për atë popull për oponencën që i bënë propozimeve ligjore sa i takon ndërshkimit të dukurisë së korrupsionit atje.
9. Nëse në këto vite pas studimit je këtu: punon për një media të madhe e me prestigj dhe mbulon një fushë që shqiptarët e kanë fort për zemër: politikën, ku e sheh veten pas 10 vjetësh?
Me lejo që të të përgjigjem pas 10 vitesh për të thënë nëse do jem atje ku do të doja ose jo.