Zonja Oana si është paraqitur libri deri tani?
Libri doli në fillim të muajit gusht nga shtëpia botuese „Eikon” pra kohët e fundit por ka njohur një rrugë të mirë që të themi e nisi me të djathtën. Ishte një libër i pritur në gjuhën shqipe, sepse e kisha paraqitur, botuar edhe në revista letrare që gjatë kohës që përkthehej, fragmente nga romani. Njëlloj edhe shkrimtarit Thanas Medi i kisha përkthyer dhe botuar disa poezi që kishin arritu në zemrën e lexuesve rumunë ndaj deri diku disa segmente nga publiku e kishin përvetësuar stilin e tij unik të të shkruarit. Tirazhi i parë thuajse ka përfunduar, por do të botohen edhe kopje të tjera.
Ku është prezantuar, si ka qënë interesi i lexuesve sipas jush?
Romani „Fjala e fundit e Sokrat Bubës” i shkrimtarit Thanas Medi ka qenë i pranishëm në disa panaire libri të mbajtura në mjedise të hapura si në Tërgoshte, në Pjatra-Neamc, Pitesht dhe sigurish pati një përurim të veçantë në qytetin tim të lindjes Korabia. U prit shumë mirë, por ajo që më bëri shumë përshtypje është se në përgjithësi rumunët kanë dashur ta kenë. Libri ka mbërritur edhe tek shumë arumunë që ndodhen në Rumani si: në Bukuresht, në Konstancë apo dhe tek ata që ndodhen jashtë prej shumë kohësh që kanë qenë të pandarë me librin, sapo mësuan për këtë botim, nisur nga përurimi i bërë.
3. Ndonjë mendim nga kritika, sipas jush si është shprehur për të?
Deri tani kanë shprehur mendimet shumë nga ata që e kanë lexuar romanin dhe cdo mendim ka qenë me vlerë si për mua ashtu edhe për shkrimtarin, sidomos sepse secili ka pasur një këndvështrim të ri të ndryshëm të qasjes apo secili ka pasur të parapëlqimet e veta mes personazheve apo analizat e veta në tërësi të përmbajtjes së librit. Kritiku Kristian Krëçun bëri edhe një kronikë shumë interesante që i bëri përshtypje shkrimtarit pasi ai zbuloi kuptime të caktuara në tërë thellësinë e tyre. Kronika u botuar në revistën “Orizont” nga Timișoara, një organ shtypi i Lidhjes Rumune të Shkrimtarëve. Më tej, profesori i universitetit Cornel Niculae shkroi dhe botoi një ese mbi “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, shkrimtarja Catia Maxim, Vianu Mureșan – një nga filozofët e sotëm të mëdhenj të Rumanisë, Costin Georgescu – antropolog dhe natyrisht po presim mendimet e kritikëve Gheorghe Grigurcu dhe Florin Ardelean, të cilët e kanë marrë në zotërim romanin kohët e fundit.
Gjithashtu kanë shkruar kronika rumunët e etnisë arumune. Këtu e kam fjalë për gazetaren në radio Steliana Bajdechi ose për filozofin Nicolas Trifon. Është ende herët. Ka kohë për të shkruar për librin dhe që romani të mbërrijë edhe tek të tjerë emra të njohur të fushës. Megjithatë, libri nuk ka kaluar pa u vënë re. Edhe vetë fakti që shtëpia botuese “Eikon” e paraqet atë kudo që udhëton me promovimin dhe prezantimin e autorëve të botuar, është një gjë e madhe.
Si hytë ju në kontakt me këtë liber dhe pse pikërisht këtë vendosët të përkthenit?
Thanas Medi më tërhoqi vëmendjen që në frazën e parë dhe rastësia bëri që të më dërgojë pikërisht këtë roman. Kuptova që kam të bëj me një shkrimtar modern, bashkëkohor proza e të cilit mund të kalojë lehtësisht kufijtë ose mund të bashkojë si ndjenjë këtë komb të ndarë të arumunëve nga ai pjesë e të cilit është. Libri në vetëvete është një epope kushtuar vllehëve, ndërsa për mua pati rëndësi vlera letrarëe-artistike. Autori „Fjala e fundit e Sokrat Bubës” është unik për stilin e ndryshëm dhe të veçantë të të rrëfyerit. Kritika shqiptare dhe ajo rumune e krahason ose e vendos bri emrave të ndryshëm të letërsisë së madhe. Për mua Thanas Medi është shkrimtar evropian, krijues i letërsisë universale në vetëvete dhe që mban emrin e tij.
Si qëndron sipas jush letërsia nga autorët nga Shqipëria në tregun rumun?
Nuk ka shumë shkrimtarë shqiptarë të përkthyer dhe për këtë arsye as nuk janë të njohur. Kemi Kadarenë përkthyer nga Marius Dobresku, BesnikMustafaj ka një roman të përkthyer, Ramiz Gjini (serish i përkthyer nga Marius Dobresku) dhe mund të jenë edhe të tjerë, por këtu në Rumani letërsia shqiptare është e njohur aq sa ka pasur ajo vetë interes të njihet në kufijtë sipas të cilave ka tërhequr vëmendjen e përkthyesve të mundshëm. Janë pak folës të gjuhës shqipe ne Rumani. E kam fjalën për rumunët njohës të gjuhës shqipe.
Cilat ishin vështirësitë që patët për këtë përkthim?
Nuk mund të them se kam hasur vështirësi, falë komunikimi të drejtëpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me autorin dhe përveç kësaj i zotëroj në një nivel të lartë të dyja gjuhët, gjë e cila më lejon të shëtis me lehtësi midis tyre.
Më vështirë është të promovoj librin apo autorin, pra nuk kam mundësinë të jem çdo herë aty ku shtëpia botuese “Eikon” bën prezantimet, apo le të themi se vështirësia më e madhe do të ishte situata nëpër të cilën po kalojmë të gjithë. Duhet të kemi parasysh shumë rregulla, njerëzit vijnë gjithmonë e më të të tërhequr, skeptikë. Me fjalë të tjera vëretetë po distancohemi dhe më vjen keq që nuk mund të takohemi për lexime publike, shumë të nevojshme për një shkrimtar të huaj që ai të njihet në vendin tënd. Ndjehem e kufizuar. Nuk shfaqem në ujrat e mia por shpresoj që një ditë të rikthehemi në jetën e mëparshme prej kësaj ndodhie fatkeqe.