I etnisë arumune, Dhimitër Zografi lindi në Korçë më 1878. Në fund të shekullit XIX, së bashku me vëllezërit emigroi në Rumani. Më 1906 merr pjesë në themelimin e shoqërisë patriotike të shqiptarëve te Bukureshtit “Bashkimi-Unirea”. Një nga organizatorët e mbledhjeve që u zhvilluan në fillim të nëntorit 1912 në Bukuresht. Aty theksoi se patriotët “kanë besim të plotë në veprimin e Kombit shqiptar pas udhës që tregoi z. Ismail Qemal Beu e se kanë për të bërë sa mundet me gjithë shpirt e me të gjitha mënyrat për shpëtimin e Atdheut” ( “Shqipëri’ e Re”, Kostancë, datë 29 nëntor 1929). U zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912 firmos vendimin e Pavarësisë me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i pleqësisë.

Ndër dokumentet me vlerë që ka lënë pas Dhimitër Zografi janë shënimet e tij në formë ditari për udhëtimin biblik të delegatëve me Ismail Qemalin drejt Vlorës. Këto shënime janë botuar në  revistën “Ylli i Mëngjesit”, i datës 30 nëntor 1917. Ja një fragment:

…Gjithë njerëzia prisnin me padurim që të ngrihej flamuri ynë në Vlorë dhe të kasnecohej vetëqeverimi i Shqipërisë. Po me qenë që aty priteshin shumë delegatë nga të tjera vise të Shqipërisë mbeti të bëhej kjo festë të nesërmen, më 15 të vjeshtës së tretë. Ishte e enjte, ora 4 pas dreke, dhe tellalli kish thirrur që në këtë do të kasnecohet Shqipëria më vete. Të gjithë delegatët ishin mbledhur në shtëpi të Xhemil Beut, në një sallon të madh. U ngrit Ismail Qemali, dhe si përshkrojti humbjen e Turqisë dhe të vojturat dhe gjendjen e Shqipërisë mbi rrezikun e madh që ndodhet Atdheu ynë, tjatër shpëtim, tha, s`ka përveç se të ngrehim flamurin e Shqipërisë dhe të kasnecojmë vetëqeverimin. “Rroftë Shqipëria jonë”, thrritnë të gjithë. “Rroftë flamuri i Shqipërisë”. Salloni ishte plot me njerëz, çardhaku përposh plot, kopshti plot, të gjitha rrugët mbushur me mizëri njerëz, edhe kur u përhap të thirrurit “Rroftë” dhe të përpjekurat e duarve, i ngjetheshin mishrat njërit: nuk mund të përshkruaj kurrë një përshtypje të tillë. Pastaj dolli gjithë populli duke kënduar këngë kombëtare dhe duke thirrur edhe me gëzim: “Rroftë Shqipëria jonë e lirë”, “Rroftë flamuri ynë”!…

GIF Image

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here