“Arumun të bëjnë gjenet, gjaku dhe gjuha”, rrugëtimi jetësor i Lila Shundit

Assoc. Prof., Dr. Lila Shundi, në një intervistë për ‘arumun’ kthehet pas në kohë, duke kujtuar me nostalgji përpjekjet intensive gjatë viteve të studimit dhe mbresat e asaj periudhe plot përkushtim. Këto vite të arta, të dedikimit të asaj që më pas kontretizohej me një marrëveshje pune, znj. Shundi na rifreskon kujtesën duke kujtuar detajet me nostalgji.

Një ndër emrat e parë pas 90-tës që u doktorua në institucionet e larta rumune. Vite plot intesitet e vrull, vite të paharrueshme për këdo që lë Shqipërinë për të kryer studimet. Lila na rrëfen se ka qenë e para arumune nga Shqipëria që u doktorua në Rumani në specialitetin e Gjenetikës dhe Biologjisë Molekulare.

Pavarësisht studimeve, tregu i punës ishte tejet i vështirë për të gjetur hapsirën e duhur. Në atë periudhë, ajo tregon se Biologjia Molekulare ishte ende tabu. Përkonte me vitin ’99, ku nuk ekzistonte asnjë laborator, ku mund të ushtronte profesionin. E ndërsa sot situata ka ndryshuar. Një frymë e re ka përndjekur brezin e ri, duke demostruar një tjetër vizion falë edhe shkollave më të mira rumune.

Lila, ju jeni nga emrat e parë pas 90-tës që u doktoruat në institucionet e larta rumune. Sot që pas më shumë se dy dekada e gjysmë nga koha kur nisën të diplomoheshin studentët e parë (pas 90-tës), si i sheh në tregun e punës? Sa mendon se ndjehet kontributi i tyre?

“Po, unë kam qenë e para arumune nga Shqipëria që u doktorua në Rumani në specialitetin  e Gjenetikës dhe Biologjisë Molekulare. Kur u ktheva nuk gjeja punë se Biologjia Molekulare ishte ende tabu. Në atë kohë (viti 1999) nuk egzistonte asnjë laborator ku unë  mund të ushtroja specialitetin tim. Në të kundërt, pjesa më e madhe e studentëve arumunë  që u shkolluan në Rumani, u punësuan menjëherë pas kthimit nga studimet sepse Shqipëria kishte hyrë në një fazë të re zhvillimi dhe ata erdhën me vizionin e duhur si rezultat i edukimit në shkollat shumë të mira rumune. Kështu ata u thithën menjëherë në tregun e punës të fushave mjekësore, të ekonomisë, të drejtësisë, të muzikës, të politikës, etj.. Sot ata janë të suksesshëm dhe personalitete në fushën e tyre si brenda ashtu dhe jashtë vendit”.

Çdo komb duhet të ndihet krenar për origjinën e gjuhën e tij.  Prof., Dr. Lila Shundi gjen rastin që ta konkretizojë më së miri me një fjalë të urtë: Bëje të mirën, hidhe në lumë! Ajo vendos pikat mbi ‘i’ duke nënvizuar faktin se arumun të bëjnë gjenet, gjaku dhe gjuha.

Në këndvështrimin tim, ish studentët e Universiteteve rumune në përgjithësi nuk e përmendin origjinën arumune, ose nuk e përmendin lidhjen e tyre me Shoqatën e Arumunëve të Shqipërisë ndihmën që kjo shoqatë ju dha për të ndjekur studimet. A ndan të njëjtin mendim dhe nëse po, si mendon, pse ndodh kjo?

“Bëje të mirën, hidhe në lumë! – thotë një fjalë e urtë. Mirënjohja nuk është vetia më e mirë e shqiptarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Eshtë e vërtetë që pas hapjes së Shqipërisë, përkatësia etnike është përdorur për nevoja sidomos ekonomike dhe shkollimi. Kësaj nuk i kanë shpëtuar as disa, dhe e theksoj disa jo të gjithë ata që kanë studjuar me bursë të shtetit rumun në sajë të prejardhjes së tyre arumune. Që të mund t’i shohin të natyrshme lidhjet e tyre me Shoqatën e Arumunëve të Shqipërisë, këta individë duhet të ndihen më së pari arumunë dhe arumun të bëjnë gjenet, gjaku dhe gjuha. Në parantezë dua të kujtoj se që kur fillova të njoh botën që më rrethonte, u bëra e vetëdijshme për origjinën time, sepse në shtëpinë time të rriturit flisnin me njëri-tjetrin një gjuhë të ndryshme nga ajo që mësoja unë në kopësht. Festat fetare, ndonëse në fshehtësi, kremtoheshin sipas traditës arumune. Në prag të Krishtlindjeve këndoheshin kolendrat në gjuhën armune dhe gatuheshin ushqime të traditës. Pastaj në Tiranën e fëmijërisë time të gjithë e njihnin njëri-tjetrin. Njerëzit që më takonin në rrugë, sapo mësonin emrin tim të familjes, thoshin: “A, ti je nga arumunët e Tiranës!” apo “A ti je llaci faci!”. Gjyshi im e kishte të shkruar kombësinë arumune në letërnjoftimin e marrë pas censusit të vitit 1945: Me sa thashë më sipër dua të theksoj se më parë mbruhesh në familje, pastaj bashkohesh në shoqata në kërkim të të drejtave dhe mbrojtjen e tyre.

Individët për të cilët po më pyesni, para se të konkuronin për pranim në universitetet apo shkollat rumune, para një komisioni nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe e Rinisë së Rumanisë, kishin depozituar në Shoqatën e Arumunëve të Shqipërisë dokumenta që dëshmonin për origjinën e tyre arumune mbi bazën e së ciles dhe u përzgjodhën. Pas studimeve, ata mund të mos e përmendin lidhjen me Shoqatën por kjo e fundit, duke filluar nga fillimi i viteve 90’ ishte garanti i vetëm para shtetit rumun për ta, ishte garanti para prindërve të tyre në çastin kur i mori përdore, disa prej tyre ende fëmijë, dhe i shoqëroi e sistemoi deri në vendin e studimit. Shoqata ishte ajo që mbante lidhjet me Ministrinë e Arsimit dhe Rinisë së Rumanisë dhe me shkollat për mbarëvajtjen e tyre, ishte ajo që u interesua për specializimet e mëtejshme të tyre dhe në fund ishte ajo që gëzohej bashkë me ta për arritjet e tyre. T’i mohosh të gjitha këto, do të thotë të mohosh vetveten. Gjithesesi për ta përmbyllur të gjithë këtë, do të sillja në vëmendje një nga strofat e himnit arumun:

Di sum ploclji di murmintsã

Strigã a noshtsã bunj pãrintsã,

Blãstem mari s’aibã’n casã

Cari di limba lui s’alasã…

E bija e një personazhi me mjaft peshë, e kryetarit simbol të Shoqatës së Arumunëve të Shqipërisë, Vangjel Shundit, tregon me krenari se në këtë rrugëtim jetësor ai ishte edhe një baba shembullor. Me fjalë të thjeshta e po aq përmbushëse, Lila Shundi flet për të atin e ndjerë si një njeri të rrallë e me plot vlera. E ndërsa puna e tij ndër vite është mjaft e vështirë të përmblidhet në pak rreshta. Një rrugëtim që ka nisur në ’91 si veprimtar aktiv i shoqatës e që nuk do ndalej deri në frymën e fundit. Znj Shundi thotë me mjaft krenari se nën drejtimin e të atit, është punuar shumë që arumunët të njiheshin si minoritet kombëtar. Dhe për çuar deri në fund këtë mision, Vangjel Shundi sa ishte në jetë është përballur me presione, kercënime deri dhe sulme fizike nga qarqe të caktuara antishqiptare që punonin për t’a kthyer çështjen arumune në dobi të tyre. Por nga pala tjetër nuk ka pasur asnjëherë urrejtje dhe dashakeqësi. Përkundrazi! Shoqata e drejtuar prej tij ka përcjellë gjithnjë mesazhe paqeje, miqësie e mirëkuptimi.

Ju jeni vajza e kryetarit simbol të Shoqatës së arumunëve të Shqipërisë, Vangjel Shundit, a mund të ndani me lexuesit tanë disa nga kujtimet tuaja që lidhen edhe me aktivitetin e tij në kuadër të Shoqatës? Cili ishte sipas jush vendi i tij në komunitetin e arumunëve të Shqipërisë?

“E thatë bukur: ai ishte “kryetari simbol” nuk ka dhe nuk do të ketë një të dytë si ai sepse, para se të ishte kryetari – lideri në plot kuptimin e fjalës, ai ishte njeri me zemër të madhe dhe të pastër si rrallëkush. Rrugëtimi i tij si veprimtar aktiv i shoqatës nis në vitin 1991 në një konferencë të organizuar në Akademinë e Arteve me përfaqësues të arumunëve nga e gjithë Shqipëria dhe nga bota. Ishte një ditë gëzimi eferveshent. Përqafoheshim, flisnim e këndonim në gjuhën arumune. U ndjeva shumë krenare kur im atë hipi në podium dhe foli me zërin e tij të bukur e potent për arumunët e Tiranës, nga e shkuara e deri në të tashmen. Atë ditë ai u zgjodh në kryesinë e degës së Tiranës, ku u dallua për punë të palodhur në drejtim të njohjes dhe përhapjes së kulturës së popullsisë arumune me shtetësi shqiptare. Në sajë të meritave të punës së tij, pas tre vitesh u zgjodh kryetar i degës së Tiranës. Në Konferencën e Dytë Kombëtare të Shoqatës, që u mbajt në dhjetor të vitit 1996, u zgjodh me unanimitet, kryetar i Shoqatës Kulturore “Arumunët e Shqipërisë”, funksion që e kreu deri në vitin 2012, vit i ndarjes se tij nga ne. Që nga ai çast i zgjedhjes kryetar, ai i dha emrin e tij të mirë shoqatës dhe arumunëve që po përfaqësoheshin tashmë nga një personalitet i njohur i pedagogjisë dhe i gazetarisë, nga një përfaqësues i një prej familjeve më të shquara të Tiranës me kontribut të rëndësishëm për qytetin, dhe përveç të tjerave, zëri i të cilit ishte shumë i dashur për gjithë shqiptarët prej dekadash. Shpesh herë Shoqatën Kulturore “Arumunët e Shqipërisë” e quanin në sensin pozitiv dhe me garancinë që jepte emri i tij – shoqata e Vangjel Shundit.

Në cilësinë e kryetarit, ai ka përfaqësuar Shoqatën Kulturore “Arumunët e Shqipërisë”, në simpoziume apo kongrese ndërkombëtare ku me kumtesa të ndryshme ka pasqyruar historikun, doket, kulturën e arumunëve të Shqipërisë. Duke qenë në krye të shoqatës, ka mundësuar që kultura, tradita, folklori, feja e etnisë autoktone arumune, të gjallërohej. Nga ana tjetër, Vangjel Shundi ka qenë një garanci dhe parzmore e pacënueshme për çështjen arumune. Nën drejtimin e tij, është punuar shumë që arumunët të njiheshin si minoritet kombëtar dhe për këtë qellim, sa ishte në jetë ka pasur presione, kercënime deri dhe sulme fizike nga qarqe të caktuara antishqiptare që punonin për t’a kthyer çështjen arumune në dobi të tyre. Shoqata e drejtuar prej tij ka përcjellë gjithnjë mesazhe paqeje, miqësie e mirëkuptimi jo vetëm në pjesën tjetër të popullatës së vendit tonë, bashkëjetesa me të cilën në shekuj ka qenë shembëllore, por edhe me vendet e tjera ballkanike e me gjerë (Amerikë, Francë, Australi, etj.) ku jetojnë etni arumune.

Së bashku me kryesinë e shoqatës, duke filluar nga viti 1992, ka dhënë kontribut për arsimimin në Rumani të brezit të ri dhe intelektualëve të ardhshëm të Shqipërisë. Vitet e para të aktivitetit të tij si kryetar, unë kam qenë me studime në Rumani dhe i ndiqja nga afër përpjekjet që bënte pranë Presidencës, qeverisë dhe autoriteteve rumune për komunitetin e arumunëve të Shqipërisë. E kam shoqëruar në çdo zyrë në Rumani kur shkonte për të siguruar bursa studimi për të rinjtë arumunë nga Shqipëria, sepse dëshironte të siguronte intelektualët e ardhshëm të komunitetit; kur shkonte për të mbledhur fonde për gazetën “Frăṭia”, për shkollën dhe kopshtin arumun të Divjakës, për kishën e Korçës dhe të Llëngës. Kam qenë e pranishme në çdo përgatitje që bëhej nga shoqata për dërgimin me studime të fëmijëve dhe studentëve arumunë. Ai merrte përsipër çdo gjë si prindi i të gjithëve. Përkujdesej personalisht gjatë udhëtimit për në Rumani, për sistemimin e tyre në destinacion, duke i shoqëruar nëpër zyra, për përmbushjen e nevojave më elementare të tyre. Ndërkohë qetësonte dhe prindërit në Shqipëri duke i dhënë gjithë informacionin në lidhje me fëmijët. Ishte emocionuese të shihje se me sa dashuri e prisnin dhe përcillnin studentët në Rumani. Me kthimin në Shqipëri, pashë se shtëpia jonë ishte bërë si zyrë e shoqatës dhe si shtëpia e çdo arumuni në hall. Ndërsa mua më bëri këshilltaren e tij me të afërt pët çështjet e shoqatës dhe më ktheu në “sekretare personale” të tij, ndoshta dhe prej faktit që zotëroja gjuhën rumune. Kjo më bëri të jetoj ditë pas dite me hallet, problemet dhe gëzimet e shoqatës dhe të isha e pranishme në çdo aktivitet të saj. Them e bindur se vetëm një lider i kalibrit të tij, me forcën e karakterit dhe me dashurinë për çështjen arumune mund t’i mbante të bashkuar për 16 vjet arumunët. Dhe e vërteta është se pas vdekjes së tij shoqata u nda në parti, në shoqata e unione të ndryshme të cilat u ribashkuan vetëm pas shpalljes me ligjin Nr. 96/2017 nga qeveria shqiptare e arumunëve si minoritet kombëtar. Atë ditë më kaluan parasysh perpjekjet e tim ati dhe të shoqatës dhe mendova se nga atje ku ishte, u çlirua dhe nga brenga e fundit qe mori me vete”.

Si e shihni sot aktivitetin e shoqatave që mbajnë lidhjet me Rumaninë?

“Deri sa im atë qe në jetë, shoqata “Arumunët e Shqipërisë”, ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Rumani dhe ajo e krijuar nga ish-studente të shkolluar në Rumani, nga shqiptarë me origjinë rumune apo nga dashamirës te Rumanisë. Te dy shoqatat zhvillonin aktivitete të përbashkëta apo ishin të ftuar në aktivitetet e njeri-tjetrit. Po ashtu, shoqata e arumunëve kishte marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi dhe me shoqatat përfaqësuese të pakicave të tjera në Shqipëri. Ishin përkrah njëra-tjetrës në çdo tryezë të rrumbullakët, dhe në çdo bisedim me qeverinë shqiptare për të drejtat e tyre. Vitet e fundit kam dëgjuar për krijimin e shoqatave të ndryshme që mbajnë lidhje me Rumaninë, por nuk kam dijeni për aktivitetin e tyre”.

GIF Image

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here