Sot është dita e tretë e protestave për vrasjen e Klodian Rashës, nga efektivi i policisë. Mes protestuesve dhe policëve ka pasur përplasje, ku këto të fundit, për të shpërndarë qytetarët kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me atobotë. Pas situatës së tensionuar që është krijuar në protestë, policia ka shoqëruar në komisariat 10 persona. Ndërkohë, nuk kanë munguar as dhuna e policisë, teksa ka tërhequr zvarrë qytetarët.
Për vrasjen e Klodian Rashës dhe protestat me episode dhune që pasuan, kanë reaguar edhe Ambasada gjermane në Tiranë, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca dhe Delegacioni i OSBE-së në Shqipëri.
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, në një reagim në mediat sociale ka kërkuar drejtësi, dhe të zbardhet vrasja e të riut Klodian Rasha.
“Ngjarjet e ditëve të fundit më mbushin me shqetësim dhe trishtim. Vdekja e të riut më ka prekur edhe mua shumë. Është e rëndësishme dhe e drejtë, që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht. Mendimet e mia janë pranë familjes së viktimës”, shkruan ambasadori.
Më tej Zingraf shprehet se dhuna nuk është zgjidhja, ndaj bën thirrje që të gjitha palët të qetësojnë situatën. “Por ajo ç’ka na mëson gjithashtu ky rast tragjik është – dhuna nuk mund të jetë zgjidhja. Ushtrimi i lirë i të drejtës për protesta është thelbësor për çdo demokraci. Por, edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna”, përfundon reagimin diplomati.
Një reagim lidhur me protestat ka ardhur dhe nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim dhe ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca.
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ka reaguar për vrasjen e Klodian Rashës, nga efektivi i policisë. Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, ambasadori ka ngushëlluar familjen, ndërkohë ka kërkuar drejtësi për vdekjen e tij. Ndërkohë ka shtuar se dhuna duhet të shmanget nga të dyja palët.
“Dhumë i pikëlluar nga ngjarjet e ditëve të fundit. Mendimet e mia janë me familjen e Klodian Rashës. Tani është thelbësore që kjo ngjarje tragjike të hetohet, si duhet dhe të vendoset drejtësia, dhe shqetësimet e shprehura paqësisht të dëgjohen. Por dhuna duhet të shmanget në çdo rast, nga të gjitha palët”, shkruan ai.
Delegacioni i OSBE-së në Shqipëri shpreh keqardhjen për vrasjen e Klodian Rashës nga polici i Shqiponjave, Nevaldo Hadëraj. Në një reagim publik, OSBE, thotë se ka besim se ngjarja do të hetohet siç duhet.
“Ligjshmëria dhe rendi publik janë në themel të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shpreh keqardhjen e saj të thellë për vdekjen e Klodian Rashës dhe besimin se ajo do hetohet si duhet. Mendimet dhe lutjet tona janë për familjen e tij. Tani, ne bëjmë thirrje për përmbajtje nga çdo lloj dhune dhe që të lejohet ligji të veprojë”.
Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar lidhur me vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie. “Vdekja e Klodian Rashas është një tragjedi dhe ne i shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve të tij. Ambasadorja Kim bisedoi sot me kryeministrin Rama, Drejtorin e Policisë Veliu, kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Kryemadhi, për të diskutuar mbi të drejtat e qytetarëve dhe përgjegjësitë e udhëheqësve. Ajo nënvizoi se ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent të incidentit, të ushtrojnë përmbajtje në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike, si dhe të sigurojnë përgjegjësi në të gjitha rastet. Në këtë drejtim, ne vërejmë se autoritetet kanë kapur oficerin në fjalë dhe kanë nisur hetimet. Ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të shfaqin aftësinë e tyre për të udhëhequr në një mënyrë të përgjegjshme, përfshirë edhe duke refuzuar dhunën. Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të bëjnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, në përputhje me përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbrohen, dhe që zërat e tyre, përfshirë atyre në protestë, të kenë mundësi të shprehen dhe të dëgjohen pa dhunë”.