Nuk di në mund të ketë një mënyrë më të mirë për një mbrëmje fundjavë dimri, sesa të ndjekësh një shfaqje ku muzika lirike ndërthuret me vargjet e autorëve të mëdhenj, shoqëruar me muzikën e dhomës dhe e gjitha kjo në një nga sallat emblematike të kryeqytetit. Panorama do të ishte e paplotë nëse nuk do të shtonim se protagonistë ishin një soprano e njohur, një aktor nga më të mirët e skenës së Teatrit por jo vetëm, një formacion instrumental profesionistesh, të cilave u bashkohej një instrumentist i ftuar që kishte udhëtuar posaçërisht për këtë shfaqje. Dhe mbi të gjitha….kjo ndodhur në Bukuresht, qytet me kontribute të larta në formimin e mjaft prej intelektualëve të Shqipërisë. 

“Pasion dhe dashuri” titullohej shfaqja që u mbajt ne Bukuresht të premten më 31 janar në sallën e Muzeut të Qytetit, në Pallatin “Shucu”. Një mbrëmje e ngrohtë, plot emocion e me një pasion që ndjehej në ajër ndërsa përcillej tek publiku në sallë. 

 Të pranishëm në këtë mbrëmje kulturore  ishin ambasadori i Shqipërisë në Bukuresht z. Ilir Tepelena, Konsulli i Nderit i Rumanisë në Korcë, z.  Elvis Toçi, miq të Shqipërisë,  si Ambasadorja e Sllovenisë në Bukuresht znj. Lea Stančič,  e cila ndodhet në këtë detyrë pasi ka lënë të njëjtin pozicion të rëndësishëm,  Tiranën vitin e kaluar. 

Zemra e këtij aktiviteti ishin sopranoja Arlinda Morava njëherazi Atashe Kulturore pranë Ambasadës shqiptare në Bukuresht, aktori Marius Bodochi sot ndër më vlerësuarit e skenës së teatrit rumun, Kuinteti “Bucharest Ladies Cvintet” i themeluar në vitin 2005 dhe violisti Iulian Bolog. Duke u ndalur tek ky i fundit,  Bolog ka  lindur në një familje muzikantësh, mësimet e para i mori nga ai ati. I diplomuar ne Konservatorin e Kluzhit dhe fitues i një burse studimi në Shtutgart, Bolog ka mbajtur një sërrë koncertesh në Berlin, Frankfurt, Athinë, Këln etj. Me këtë kuintet dhe me sopranon shqiptare ai kishte interpretuar edhe në mes të muajit janar në një tjetër aktivitet. 

Talent, emocione të forta, pasion nga njëra anë dhe nga ana tjetër një publik i ngrohtë dhe këmbëngulës në duartrokitjet e zgjatura,  për një program pjesësh të zgjedhura me kujdes. 

Ariet nga më të famshmet botërore, interpretuar nga Morava ndërthureshin me vargjet  e Çehovit, Rilkes, Shekspirit të interpretuara plot pathos, herë me humor apo dhe me autoironi nga aktori i shumënjohur.

 E gjithë mbrëmja ishte ndërtuar mbi komunikiminin, përjetimin, thellësinë e interpretimit  që nga një fragment tek tjetri vinte e bëhej më i plotë e depërtues, plotësuar kjo nga loja instrumentale e 6 instrumentistëve. 

 Duke u ndalur tek  artistët kryesorë të kësaj mbrëmjeje, Arlinda Morava i takon brezit të të rinjve të ardhur nga Shqipëria në Rumani në vitin 1996. Ajo kreu fillimisht studimet në shkollën “Dinu Lipatti” e më pas vijoi Konservatorin e Muzikës duke kënduar gjatë kësaj kohë në disa skena të Rumanisë. Aktualisht Morava është edhe Atashe Kulturore në Ambasadën e Shqipërisë në Bukuresht dhe një përcjellëse dinjitoze e shpirtit ballkanik dhe promovuese e pakursyer e vlerave të identitetit shqiptar. Vetë pozicionimi i saj në këtë rol i ka dhënë një tjetër dritë edhe përfaqësimit shqiptar në një nga kryeqendrat me lidhje të forta me historinë e Shqipërisë.  

Në shfaqjet e saj nuk mungojnë këngët nga repertori shqiptar, por valsi i Shostakoviçit i kënduar prej Moravës në gjuhën shqipe në Bukuresht, tingëllon edhe më i dashur. 

Një javë më parë më 25 janar 2020 ajo kishte interpretuar në një spektakël të ngjashëm për nga natyra e tij, titulluar “Shtatë” por me progatonistë të tjerë si në organizim ashtu edhe në interpretim. Këngëtarja shqiptare e skenës lirike interpretoi në Muzeun Kombëtar të Letërsisë Rumune me 6 artistët midis të cilëve me aktoren Theodora Stanciu dhe kuintetin “Arte”. Pjesët e intepretuara nga aktorja Staniu i përkisnin krijimtarisë poetike të:  Rudyard Kipling, Nikita Stanesku, Nina Cassian, Nâzım Hikmet dhe Ion Luka Karaxhales.

Duke u rikthyer tek mbrëmja e fundit të janarit, me aktorin Bodochi publiku shqiptar që ishte mbrëmë i pranishëm ishte njohur edhe me parë kur ai interpretoi në Shqipëri në dy shfaqje: Elbasan dhe Tiranë. Në tetorin e vitit të kaluar Bodochi dhe ikona e skenës Maia Morgenstern dhuruan për publikun shqiptar shfaqjen  e njohur “Marina dhe  Ulay”.  Në Elbasan aktorët rumunë ishin të ftuar në edicionin e vitit 2019 të  Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa”. Ndërsa në Tiranë shfaqja dhurohej për të gjithë njohësit e gjuhës rumune, por jo vetëm. 

Në një sallë të mbushur, aktorët u duartrokitën gjatë dhe me entuziazëm nga spektatorët. 

Aktori Marius Bodochi ka lindur në Kluzh. Ai ka ndjekur studimet në Teatrin e Tërgu Mureshit. Mes viteve 1991 deri në vitin 2000 Bodochi  ka qenë profesor në Universitetin e Kluzhit në katedrën e teatrit. Nga viti 2004 është aktor i Teatrit Kombëtar “I. L. Caragiale” dhe gjatë karrierës së tij ka interpretuar role të shumta në teatër dhe kinematografi.   Ai thotë se e ka takuar magjinë e skenës që në fëmijëri dhe që atëherë nuk ka hequr dorë. 

Shfaqja “Pasion dhe dashuri” pritet të vijë edhe në Shqipëri. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here