Sandër Lleshaj është dorëhequr nga detyra e Ministrit të Brendshëm. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili në një komunikim drejtuar qytetarëve, ka thënë se Lleshaj i kishte vendosur në dispozicion dorëheqjen e tij.
Dorëheqja e Sandër Lleshajt vjen pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga një efektiv i forcave “Shqiponja” në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit në zonën e Laprakës në Tiranë.
Ministri i dorëhequr, Sandër Lleshaj, ndërsa fliste për marrjen e vendimit për t’u tërhequr, është shprehur se ishte një akt njerëzor, moral dhe politik.
Lleshaj deklaroi se nuk kishte asnjë përgjegjësi për ngjarjen, ndërsa shprehu keqardhjen për familjen që humbi djalin. Dorëheqja e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka gjetur hapësirë edhe në mediat ndërkombëtare.
Lleshaj dha dorëheqjen pas protestave të provokuara nga vrasja e një të riu nga një patrullë policie në Tiranë, i cili kishte shkelur shtetrrethimin e natës në fuqi për të luftuar pandeminë Covid.