Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha, ka sjellë rebelimin e qytetarëve, të cilët bashkërisht protestuan sot në kryeqytet.

Mijëra qytetarë dolën në protestë për vrasjen e të riut Klodian Rasha, i cili u qëllua për vdekje nga një efektiv i forcave ‘Shqiponja’.

Fillimisht protesta nisi e qetë tek Ministria e Brendshme, ku qytetarët kërkuan dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj. Ata kanë bërë thirrje “Poshtë diktatura”, “Unë jam Klodiani”, “Drejtësi për Klodianin”, “Lleshaj dorëhiqu” etj.

Qytetarët po ashtu janë përplasur me efektivët e policisë, të cilët kishin krijuar një kordon për të mbrojtur godinën e Ministrisë së Brendshme.

Më pas protesta ka vijuar e qetë dhe qytetarët janë drejtuar për tek Kryeministria, por dhe aty ka pasur disa përplasje me efektivët. Qytetarët kanë qëlluar me sende të forta drejt godinës dhe kanë shkatërruar bredhin e festave të vendosur në oborrin e godinës.

Qytetarët kërkojnë drejtësi për Klodian Rashën, që e vrau efektivi i policisë. Ata kërkojnë dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj. Protesta është zhvilluar me përplasje të forta. Deri më tani numërohen 11 të plagosur, një qytetar, një gazetar dhe nëntë efektivë.

Si ndodhi ngjarja? Krimi ndodhi konkretisht në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë, pak metra larg shtëpisë së të riut, rreth orës 1:45. Ndërsa efektivi i policisë, i cili është arrestuar, pretendon se fillimisht e ka thirrur 25-vjeçarin, për ta kontrolluar për shkak se kishte shkelur orën policore dhe se gjatë ndjekjes në këtë moment i riu i ka nxjerrë një send në dukje armë, dhe për këtë arsye efektivi ka qëlluar në drejtim të tij. Gjithashtu efektivi ka pretenduar se është nisur ta qëllojë në pjesën e poshtme të trupit, por kur ka gjuajtur herën e dytë, nga errësira nuk e ka parë se ku e kapur plumbi. Duke e lënë të vrarë me 2 plumba, një në shpatull dhe një në kokë, ku njëri nga plumbat i ka ardhur pas shpine.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here