Një libër, që nuk pretendon për studim me themel të historisë se Manastirit të Ardenicës në Kolonjë të Lushnjës, prek edhe lidhjet e hershme të këtij institucioni sa fetar po aq edhe kulturor me Voskopojën. Po ndalemi në disa aspekte.

Themelimi, në një nga zonat më të bukura të Myzeqesë. Kjo fushë, 70 km e gjatë dhe 50 km e gjer ka një vend, një kodër dominonte, nga mund të duket e “gjithë bota” … “qe vërtetë, që prej andej dukej e gjithë bota. Në veri humbisnin në mjegull malet e Shkodrës, Krujës dhe Tiranës. Në lindje, fare pranë ngrihej hijerëndë mali i Tomorit. Në jug shtrihej fusha e Apolonisë, e valëzuar nga kodra të buta, ndërsa në perëndim shkëlqente deti”.

Kujtojmë vendin e mrekullueshëm, ku mori jetë qyteti i Voskopojës, përshkruar nga studiuesi i paharruar Dhori Falo.

Kur është zanafilla?… “Më të besueshme, shkruan Naun Kule, janë ato të shekujve 13-të, 14-të, në kohën e Despotatit të Epirit”. Kisha e parë, Shën e Premtja në Voskopojë, daton viti 1335 pra fillimin e shekullit të 14-të. Dhe ajo konsiderohet se pikënisje e vendbanim nga vllehtë shtegtar, që vendosën të mos ti lëvizin gjatë dimrit fëmijët, të moshuarit dhe gratë, së bashku me bagëtitë në kullotat dimërore, kryesish në drejtim të Myzeqesë.

Nga shqyrtimi i dokumenteve të  gjetura për Manastirin ka një heshtje deri në shekullin e 18-të. Në fillim të këtij shekulli vërehet një zgjim për të, jo vetëm në krahinën përqark, por edhe në Voskopojë e Korçë. “Kjo, nënvizon autori, sepse lidhjet dhe këmbimet e ndërsjellat mes zonave të Myzeqesë dhe atyre të Korçës dhe Voskopojës njihen si të tilla tradicionalisht.

Ka edhe një fakt tjetër: në mesin e shekullit të 18-të Voskopoja arriti kulmin e zhvillimit të saj ekonomik e kulturor. Më 1744 hapet “Akademia e Re”. Qyteti ka një bibliotekë nga më të njohurat në perandorinë Osmane, dhe u bë me shtypshkronjë, e para në Ballkan. Ngrihen kisha dha bazilika madhështore. Kuptohet krijohet mundësia të hidhet edhe një sy nga Ardenica. Pse?!… (pyetje pa përgjigje).

Radha e ndërtimit dhe pikturimit të manastirit. E para kisha e Shën Triadës, që e shenjtëroi vendin, pastaj Shën Maria, ngjitur me të, por më madhështore. Datimi 1715 përmendet për herë të parë kjo kishë. Vitet 1743-1744 janë vite të pikturimit të kishës dhe në tërësi të manastirit. Autori thekson se në Ardenicë janë sjellë 4 kambana, prodhime të vitit 1708 dhe 1738. Vitet 1743-44 janë ato të një pune intensive artistike të piktorëve të shquar të kohës si Zografëve dhe Shpartaraku.

Pas kësaj paraqitje citojmë:

“Besojmë se ndërmjetësi për këtë “krushqi” kaq të mbarë e të bekuar, të ketë qenë Voskopoja, lidhjet e të cilës me Ardenicën dhe Myzeqenë ishin të njohura”… Dhe më tej “Na bie në sy një fakt: pikturimi i Manastirit të Ardenicës bëhet pikërisht në vitet 1743-44 vite, në të cilat zejtarët e Voskopojës porosisnin dhe paguajnë nga të ardhurat e tyre dhurata shumë domethënëse, për Ardenicën, pikërisht vepra arti”. Këtu s’ka nevojë për koment.

Manastiri kishte një hipotekë shumë të pasur të pasurive të paluajtshme. Nga ky libër mësojmë se dy metoqe (prona të manastirit larg tij), njëri në fshatin Stan Manastir (gjysmë ore larg) zanafillën e kishte nga banorë vlleh, të ardhur këtu për të dimëruar bagëtitë e shumta (ndaj dhe u quajt Stan). Ata vazhdonin të kishin një numër të madh krerësh bagëtish të imta, të cilët i veronin në Voskopojë dhe Korçë…. Citojmë: “ky mund të jetë edhe njëri nga shkaqet ekonomike, që ka nxitur dhe kushtëzuar lidhjet e hershme e të ndërsjellët ndërmjet Ardenicës dhe Voskopojës”.

Vijojmë më tej:

…”Që fillimi i shekullit të 17-të  e deri në fund të shekullit të 18-të (pra për më shumë se 200 vjet), manastiri kishte ndihmën e një vëllazërie: “Vëllazëria ortodokse e Shën Marisë së Ardenicës”, e cila vepronte në Poloni dhe Hungari…” ndihma vinin ose drejtpërdrejtë ose përmes metoqit të Voskopojës.

Theksomë këtu duke cituar:

“Anëtarë të kësaj shoqërie kanë qenë edhe burra të shquar e të ditur të kohës, si Baron Shaguna nga rridhte Arqipeshkovi i Transilvanisë. Veç këtyre për këtë manastir punonte edhe një kandar i vendosur në tregun e Vjenës”.  Është i njohur fakti se në Vjenë, ishin vendosur shumë voskopojarë, që spikatnin me pasurinë e tyre dhe investimet brenda perandorisë Austro-hungareze.

Kush mund të ishin këta ndërmjetës ose pjesëtar të “Vëllazërisë”?… (pyetje që s’ka nevojë për përgjigje)

Andrei Shaguna në 1864 arriti peshkop i Transilvanisë, me qendër në Sibiu. Njihet botërisht se ai ishte me prejardhje nga një familje Grabovare, emigruar në Hungari. Roli i tij për arsimimin dhe promovimin e popullatës rumune në Transilvani ishte vendimtare që kjo krahinë nga më të mëdhatë e më të pasura të Rumanisë, por nën pushtimin hungarez të mos përfshihet në shtetin hungarez por atë rumun duke u sanksionuar kjo më 1 dhjetor 1918 në kongresin e unifikimit mbajtur në Alba Iulia, që është sanksionuar edhe “Festa Kombëtare e Rumanisë”.

Autori ndër figurat më të shquara që kanë vizituar apo punuar në Ardenicë, pas Skënderbeut dhe Donikës radhit Arqimandrit Nekta Terpo.

Akademikja rumune Matilda Caragiu Maurițeanu përmend në studimet e saj se në gravurën e Manastirit ekziston një lutje ku: krahas shqip, greqisht dhe latinisht është gdhendur edhe në arumanisht nga Nektar Terpo, i cili këtë gjuhën e nënës, thotë Akademikja. Është një lutje e shkurtër për Virgjëreshën Maria, që ti falë gjynahqarët.

Jani Gusho

Studiues për çështjen arumune

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here