Nga Entela Binjaku
Në Panairin Kombëtar të librit „Gaudeamus” të çelur javën e kaluar në Bukuresht u përurua edhe libri i autorit kosovar Fehmi Ajvazi me titull: 24 marsi. Kronika e ferrit kosovar”.
Autori, një emër i ri në tregun e botimeve rumune ka lindur në Gjilan të Kosovës. Ai është shkrimtar, gazetar, analist politik dhe autor i disa studimeve që kanë në qendër historinë e shqiptarëve kosovarë në dekadat e fundit të shekullit të kaluar.
Libri me titull ”24 mars. Kronika e ferrit kosovar” u botua fillimisht në Prishtinë në vitin 2003.
Në një format të ri botimi, mjaft më cilësor, ky libër erdhi për lexuesit rumunë falë përkthimit në rumanisht të përkthyesit të njohur Marius Dobresku.
Ceremonia përuruese u mbajt në datën 21 nëntor në stendën e shtëpisë botuese „Corint Books”. Shtëpia e mirënjohur e përfshiu këtë libër në kolanën e botimeve të saj të paraqitura në panair, me rastin edhe të 20 vjetorit të ngjarjeve të tmerrshme të kësaj pjese të Evropës.
Libri që është një ndërthurje kujtimesh, meditimesh dhe dokumentesh, risjell në kujtesën e lexuesit rumun fakte historike të ndodhura në pranverën e vitit 1999. Këto fakte kanë nxitur polemika dhe kundërshti të shumta edhe në Bukuresht në atë kohë.
Në aktivitetin e organizuar në Panair morën pjesë miq dhe simpatizantë të shumtë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe lexues e të interesuar për këtë pavijon të ekspozitës.
Morën fjalën Arlinda Morava, atashe kulturore në kuadër të Ambasadës Shqiptare në Bukuresht, prof. univ. Daniela Buşă, kërkuese shkencore në fushën e historisë së Ballkanit dhe përkthyesi i vëllimit, gazetari, shkrimtari dhe eseist i njohur Marius Dobresku. Në intervistën e dhënë disa javë më parë për lexuesit shqiptarë përkthyesi Dobresku kishte përmendur edhe ardhjen në jetë në rumanisht të këtij libri.
Në pamundësi për të marrë pjesë në aktivitet shkrimtari Ajvazi ju drejtua të pranishmëve me një mesazh nga ku veçojmë: ”Jam thellësisht i nderuar nga fakti se libri im është përkthyer në gjuhën rumune… Ndjehem i nderuar që ky libër, tragjik, nga kreu deri në mbyllje siç edhe historia e Kosovës ka qenë ndodhet në duart e lexuesve rumunë.
Ju falënderoj të gjithëve nga zemra dhe ju dëshiroj të mbani gjithmonë ndezur në zemrat tuaja flakën e kulturës dhe të dëshirën për liri”.
Një artikull për këtë përurim do të botohet edhe në revistën „Drita”, revistë kulturore e minoritetit shqiptar në Rumani, që financohet nga shteti rumun.
Z. Dobresku drejton redaksinë e saj prej shume vitesh. Ai njihet më së shumti si përkthyes i prozave të Kadaresë, por ka përkthyer në gjuhën rumune vepra edhe nga shkrimtarë të tjerë shqiptarë si: Ramiz Gjini, Ermir Nika Teodor Laço, Gjekë Marinaj, Arbër Ahmetaj, Fahri Balliu, Rita Petro etj., Kësaj liste të gjatë autorësh i shtohet tashmë edhe emri i autorit kosovar Fehmi Ajvazi.