Nga Vilma Zonja

Atë ditë Fieri nuk ishte ngritur ende nga gjumi. Dëgjoheshin vetëm hapat  e heshtur të pak njerëzve.  Në ajrin e ftohtë të mëngjesit  ndihej gëzimi i fëmijëve që po merrnin një rrugë  të gjatë, por të bukur drejt Rumanisë.

Teksa ora kalonte edhe autobuzi po mbushej me studentë dhe adoleshentë nga e gjithë Shqipëria.

Ishte shumë kënaqësi të shikoje bukuritë e Shqipërisë. Liqeni i Ohrit ishte një mrekulli.

Ishte i mbuluar nga nje mantel mjegulle dhe dukej i mistershem. Në Shkup na prisnin kampistë të tjerë.  Autobuzi i mbushur me hare dhe fëmijë nga gjithë Ballkani ishte gati për të shkuar në kamp!

Gjelbërimi karakterizonte  Bullgarinë.  Hëna mbretëronte qiellin plot me yje të shndritshëm. Ajo kishte rrëzuar vellon e saj përmbi Bullgari dhe dukeshin vetëm pemët dhe dritat e shtepive te njerëzve si  yje mbi tokë. 

Në mëngjesin e  ditës së dytë ne kishim mberritur në kufirin Bullgari – Rumani. Ky ishte dhe kufiri i fundit që kishim për të kaluar.

Sapo kaloje kufirin, fushat e pafundme me luledielli dhe helikat e mëdha  që lëviznin pambarim.

Më pas dielli, që si një fëmijë i sapozgjuar nuk shëndrinte plotësisht. Ai  qe rrethuar nga nje  qiell ngjyre livandoje  të trazuar. Ishte e mrekullueshme se si kudo që shkoje, shihje  ato ushtarët  mirënjohës  të diellit. 

Arritëm në Tulçea. Që aty do të merrnim tragetin për në Sulina. 

Tragetet dhe mjetet udhëtuese i binin Danubit mes për mes.

Danubi kishte një thellësi marramendëse.  Dukej sikur në shtratin e tij fshiheshin thesaret më të  bukura që natyra nuk do tja  tregojë njeriut. Udhëtimi tre orësh sikur fluturoi dhe ne gjetëm veten. 

Në portin e  Sulinës kampistë të tjerë  na duartrokisnin dhe këndonin kënget e kampit. Në fytyrat e tyre dallohej gëzimi dhe se ata kishin  kaluar shumë bukur! 

Më  në fund arritëm në kamp! Pas disa minutash të gjithë kampistët ishin  rehatuar në dhomat e tyre të gjumit. Pas kësaj rruge të gjatë,  darka ishte përgatitur për ne.  

Disa nga ushqimet dhe traditat qenë të  ndryshme nga  ato me të cilat ishim mësuar ne nga Shqipëria, por ishim aty për të njohur më shumë nga tradita rumune.   

Pas darkës ne dolëm në qytet dhe zbuluam  një pjese të vogël  të qytetit. 

Të nesërmen u nisëm drejt plazhit dhe Detit të Zi. U kënaqëm,  ujërat e  përzjerë të detit, rëra,  bashkë me zërat e femijëve  të kënaqur

Ata luanin, notonin, pikturonin shijonin mundësinë që u ishte dhënë!! Alina, motra ime pikturoi një tablo ku shkroi: Albania dhe Sulina. 

Në mbrëmje tek diskoja ishte mundësia të mësonim dhe disa valle të reja.

Vallet moldave dhe  rumune ishin të shpejta dhe ritmike. 

Por edhe ne dëshironim tu tregonim të tjerëve vallet tona popullore. Shiu nuk na ndalte së kercyeri dhe argëtuari neve, kampistëve të Sulinës. 

Të nesërmen bënte ftohtë, ne dolëm përsëri në qytet, bëmë shëtitje përgjatë bregut të Danubit duke bëre foto dhe duke shijuar çdo çast. 

Shpesh zbrisnim poshtë për të luajtur me femijet e tjerë,  edhe pse nga vende te ndryshme, na bashkonte prejardhja rumune. Disa luanin ping- pong të tjerë pikturonin, ca luanin basketball ose volejboll. Ditet kalonin si pa kuptuar. Ne kënaqeshim gjithmonë e më shumë, ditë për ditë,  njiheshim me njerëz të rinj, mësonim gjëra të reja.

Mendoj se të gjithë kampistëve u qenë ngulitur në mendje  fjalët  “Ne place la Sulina”

Si turistë që ishim nuk mund të largoheshim pa marrë suveniret dhe bluzat e veçanta tradicionale!

Ditëve tona në Sulina po u vinte fundi dhe ne shkuam përsëri në plazh, si në ditën e parë.  Në mbëmje, në diskon e fundit, ishim më të njohur me njeri-tjetrin, kërcenim çdo valle  dhe këngë duke kënduar plot kënaqësi. Ditën e fundit  ishte edhe festa e largimit.  Sallën e mbushën tingujt tradicionalet të Moldavisë, Shqipërisë, Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut.  Këto  ishin orët e fundit por edhe më të  bukurat në Sulina. Po festonim të gjithë bashkë. Edhe ne nga Shqipëria kishim përgatitur një përshëndetje për të gjithë shokët dhe shoqet e rinj: një flamur shqiptar dhuratë për Sulinën, kushërira ime Darlin këndoi këngën “Artiste e vërtetë”.  Me këtë këngë ajo  kishte marrë pjesë në Festivalin e Fëmijëve në Fier. Bashkë me motrën time, të veshura në kostum popullor, ato kërcyen një valle të Shqipërisë së mesme, më pas Alina luajti një numër përshëndetës në kitarë. Unë interpretova poezinë “Gjuha jonë” në dialektin arumun. Këtë poezi e kishte shkruar gjyshi dhe e kishim mësuar nga abetarja e tij. Jo vetëm ne, por edhe të tjerët nga Shqipëria kishin përgatitur numra përshëndetës për miqtë tanë të rinj.Të nesërmen na priste një rrugë e gjatë, por në mendjet e gjithesecilit mendoj se ishte ngulitur  shprehja: “Faleminderit Sulina, ndihemi si në shtëpi”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here