Personalitetet rumune sjellin në Shqipëri botimin: “Miqësi nëpër kohëra-përbashkësi rumuno-shqiptare”

Nga Entela Binjaku

Prej disa ditësh në duart e lexuesve në Shqipëri ndodhet libri me titull: “Miqësi nëpër kohëra-përbashkësi rumuno-shqiptare”. Autorët e këtij botimi janë Mircea Perpelea dhe Marcel N. Popescu. Libri është botuar nga “Librarium Haemus Edition”. Parathënia i takon Akademikut të njohur Kopi Kyçyku që është kujdesur edhe për shqipërimin e tij. 

Të dy autorët, Perpelea dhe Popescu personalitete në fushat e tyre, zgjodhën këtë vjeshtë të 2020 –ës për t’ju qasur lexuesve të interesuar në fushën e marrëdhënieve rumuno-shqiptare.  Me udhëtimin në zhvillimet historike dhe kulturore të dy popujve ata synojnë të vendosin edhe një tjetër gur themeli në zhvillimet e përbashkëta. 

Libri përmban në 5 kapitujt e tij disa nga pikat kyçe në të përbashkëtat historike dhe kulturore mes dy popujve tanë. Nga prania e arumunëve në Gadishullin Ballkanik dhe përzierja e tyre me shqiptarët e deri tek Voskopoja si një çast i pazakontë në historinë e arumunëve për të vazhduar me personalitetet shqiptare dhe arumune në historinë dhe kulturën e Rumanisë. Ky punim mbyllet me periudhën komuniste dhe realitetin e ri të arumunëve. 

Në nisje të librit autorët u janë drejtuar lexuesve me falënderimet për mbështetësit dhe për të gjithë ata që u kanë qëndruar pranë në përgatitjen e këtij punimi: “miqtë e vërtetë dhe fisnikë” që kanë takuar në Shqipëri. 

“Përgatitja e këtij libri, i cili atëherë kur e filluam nuk e dinim as për nga larg, si do të përfundojë ka nënkuptuar shpenzim kohe, përpjekje intelektuale por edhe emocionale. Mendojmë se e vërteta, sidomos atëherë kur vihet në shërbim interesash finsike, që synojnë t’i afrojnë njerëzit, jo t’i përçajnë,  duhet thënë”, citohet nga autorët. 

Kjo dhuratë e lindur në fillimshtatori të 2020-ës është mundësia që adhuruesit e librit dhe të kulturës të takohen përmes fakteve të mbledhura, me të përbashkëtat historike dhe kulturore në rrugën e dy popujve tanë.  

Një vend me rëndësi në libër zë komuniteti arumun që jeton në vendin tonë. Kjo pakicë kombëtare arumune ka sjellë një hap para jo vetëm në afrimin e njerëzve, por edhe në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe në miqësinë mes dy popujve. 

Faqet e librit përshkruhen nga vlerat e bashkëpunimit dhe emocionet e të përbashkëtave kulturore dhe aspiratat evropiane. 

Shkëlqesia e Tij Z. Mirçea Perpelea ndodhet në Shqipëri në misionin diplomatik të Rumanisë në  detyrën e ambasadorit dhe të përfaqësuesit më të lartë të shtetit mik.

Ai është profesor në Shkollën  Kombëtare të Shkencave Politike dhe Administrative (SNSPA), i diplomuar si inxhiner dhe ekonomist dhe mban titullin doktor në të dyja shkencat. Përpara se të emërohej në krye të misionit diplomatik të Rumanisë në vendin tonë, autori i 11 librave në fushat e specialitetit dhe të letrave dhe i shumë punimeve të prezantuara dhe të botuara brenda dhe jashtë vendit, SH.T. Mircea Perpelea ka ushtruar detyrat e prefektit, të konsullit të Rumanisë në Francë dhe të Drejtuesit në Bankën Kombëtare të Rumanisë.

Bashkëautori Marcel N. Popescu është sociolog, ekonomist, gazetar, profesor universiteti, specialist i komunikimit dhe Doktor në shkencat politike. Në studimet e tij z. Popescu ka shfaqur interes për rumunët në Jug të Danubit që jetojnë edhe në territorin e Shqipërisë. Kjo ishte edhe pikënisja e punës së përbashkët mes të dy autorëve të cilët duke gëzuar edhe një miqësi të mirë me njeri-tjetrin, projektuan idenë për bashkëpunimin, tri vjet më parë. 

Kjo nuk është e para herë që Ambasadori Perpelea ju drejtohet lexuesve në Shqipëri. Rreth dy vjet e gjysëm më parë ai  prezantoi me librin me titull “Duke ardhur në Shtëpi në Evropë…nga Lindja” – A mund të jetë përvoja e aderimit të Rumanisë në BE një model për Shqipërinë?”

Libri u përurua më 21 maj 2018 në mjediset e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.  21 maji është edhe Dita Botërore e Diversitetit Kulturor. Ky përurim si një kontribut për vendin tonë  i përvojës rumune të integrimit në BE erdhi edhe në simbolikë të kësaj date. 

Libri përshkruante situatën ekonomike-shoqërore të Rumanisë në periudhën para aderimit në Bashkimin Evropian, rrugëtimi evropian gjatë një periudhe 14 vjeçare (1993-2007) që nga firmosja e  Marrëveshjes së Asociimit deri në aderimin në Bashkimin Evropian. 

Sërish në vitin 2018, më 2 nëntor libri u përurua edhe në Fier. Në mesditen e asaj të premteje të nëntorit libri bashkoi dashamirësit e kulturës në Bibliotekën “Dritëro Agolli” të këtij qyteti. Ambasadori i Rumanisë në Tiranë, SH.T.Z.  Mircea Perpelea kishte përzgjedhur qytetin e Fierit i dalluar edhe për praninë e rëndësishme të komunitetit arumun. 

Në vijimësi të kësaj fryme bashkëpunimi dhe miqësie të sinqertë, doli për lexuesit titulli i ri “Miqësi nëpër kohëra-përbashkësi rumuno-shqiptare” sa i mirëpritur, aq edhe i dobishëm.

 Libri i autorëve Mircea Perpelea dhe Marcel N. Popescu dhe do të përurohet së shpejti në Shqipëri.  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here