1 dhjetori njihet si Dita Kombëtare e Rumanisë. Kjo ditë përkon me Bashkimit e Madh në Alba Iulia, në vitin 1918, kur u votua bashkimi i Transilvanisë me Rumaninë, çast kur  u bashkuan të gjithë rumunët ne një shtet dhe u realizua bashkimi shtet-komb rumun. Viti 2018 përbën për qytetarët e këtij vendi një vit nderimi për kujtimin e të parëve dhe vit angazhimesh për perspektivat e reja të vendit. Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij 100-vjetori institucionet e shtetit rumun me axhendat e tyre punuan në drejtim të respektimit të detyrimeve ndaj angazhimeve evropiane. Në  marrëdhëniet Shqipëri-Rumani një vend me rëndësi zë edhe komuniteti arumun. Me Ligjin nr. 96/2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë, miratuar më 13 tetor 2017 arumunëve u është dhënë statusi zyrtar si pakicë kombëtare. Në 25 korrikun e vitit 2018  Akademia Rumune doli me një komunikatë lidhur me identitetin dhe unitetin historik të rumunëve ne veri dhe në jug të Danubit. Sipas kësaj komunikate të botuar në faqen zyrtare të Akademisë (www. acad.ro ) thuhet:

“Në vitin e 100- vjetorit të Bashkimit të Madh të Rumunëve, Akademia Rumune rikonfirmon këndvështrimin lidhur me identitetin historik dhe gjuhësor të rumunëve në veri dhe në jug të Danubit.

Sipas të vërtetës historike, populli rumun ka katër degë historike:  dako-rumunët, arumunët, megleno-rumunët, istro-rumunët – folës të dialekteve të gjuhës rumune:  dako-rumune, arumune, megleno-rumune dhe istro-rumune. Të gjithë këta rumunë formojnë një unitet etnik dhe flasin të njëjtën gjuhë. Dialektet rumune: dako-rumun, arumun, megleno-rumun dhe istro-rumun- takohen në një hapësirë të gjerë, nga Maramureshi dhe Karpatet veriorë në veri  deri në Epir dhe Thesali në jug, nga Istria, Deti Adriatik në perëndim deri në Detin e Zi dhe përtej Nistrës në lindje. Folësit e tyre janë pasuesit e popullsisë autoktone të romanizuar nga Perandoria Romake e Lindjes. Të vërtetuar në të kaluarën në një territor të përbashkët, në veri dhe në jug të Danubit, dialektet rumune gjatë kohërave janë izoluar, si pasojë e depërtimit të sllavëve në Gadishullin Ballkanik duke nisur nga shekulli VII, fakt që ka përcaktuar disa lëvizje të këtyre folësve në këtë hapësirë gjeografike në periudhën e Mesjetës. Dako-rumunët janë pasuesit e rumunëve të veriut të Danubit, ndërkohë që arumunët, megleno-rumunët dhe istro-rumunët janë pasues të rumunëve në jug të Danubit. Uniteti i dialekteve rumune u mbështet në mënyrë unanime gjatë kohërave nga gjuhëtarët më të rëndësishëm rumunë (Ovid Densușianu, Alexandru Philippide, Sextil Pușcariu, Theodor Capidan, Alexandru Rosetti, Tache Papahagi, Eugeniu Coșeriu) dhe të huaj (Wilhelm Meyer-Lübke, Gustav Weigand, Matteo Bartoli, Giuliano Bonfante, Alf Lombard, Carlo Tagliavini, Gerhard Rohlfs). Rumanishtja është paraqitur si një gjuhë e njehsuar, (unitare) me të katër dialektet (dako-rumune, arumune, megleno-rumune, istro-rumune) në enciklopeditë e huaja:  The Encyclopaedia Americana, vol. 23, 1919; Encyclopaedia Britannica, vol 19, 1911; The Neë Encyclopaedia Britannica, Macropaedia, vol. 15, 1981); Grand Larousse Encyclopédique, vol. 1, 1964; Brockhaus Enzyklopädie, vol. 17, 1981; Dizionario Enciclopedico Italiano, vol. 10, 1961.

Akademia Rumune sheh me shqetësim  vazhdimin dhe intensifikimin e disa aktiviteteve politike që synojnë denatyrimin e së vërtetës lidhur me arumunët dhe dialektin arumun. Qëllimi i  këtyre deklaratave është deklarimin e arumunëve si minoritet kombëtar në Rumani, si popull arumun, i dallueshëm nga populli rumun, që ka gjuhën e vetë arumune, të ndryshme nga gjuha rumune.  Këto aktivitete bëjnë pjesë në një veprimtari më të gjerë të ndarjes së rumunëve të jugut të Danubit:  arumunëve, megleno-rumunëve, istro-rumunëve, vllehëve timoçenë dhe të tjërve rumunë jashtë kufijëve të Rumanisë (rumunët timoçenë, besarabenët, hercenët, maramureshenët etj.)- nga gjuha dhe populli rumun.

http://www.zemrashqiptare.net/images/article/2018_02/47618/u1_Entela-Binjaku.jpg

Theksojmë se ne neni 3, paragrafi 1 i Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare (KKMMK) e adoptuar nga Këshilli i Evropës në Strasburg në 1 shkurt 1995 dhe e hyrë në fuqi në 1 shkurt 1998 parasheh të drejtën e gjithëkujt për ti përkitur një minoriteti kombëtar për të zgjedhur në mënyrë të lirë të trajtohet si i tillë ose jo. Parafrafi 35 në Raportin Shpjegues të (KKMMK) ((ETS No. 157) veçon që nga paragrafi i parë të nenit në fjalë nuk duhet kuptuar se një njeri ka të drejtën të zgjedhë në mënyrë arbitrare përkatësinë në një minoritet kombëtar, por se kjo zgjedhje individuale është në mënyrë të pandarë e lidhur me kritere objektive, me domethënëse për identitetin e personit në fjalë. Për rrjedhojë, duhen respektuar kriteret shkencore në marrjen përsipër të identitetit kombëtar dhe gjuhësor të një individi dhe të një kolektivi”, mbyll komunikatën Akademia Rumune. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here