Këtë vit në 24 qershor 2020 në 50 shtete dhe në 300 qytete në të gjashta kontinentet u festua Dita Ndërkombëtare e Ies.
IA – që është edhe emërtimi i dhënë për veshjen femërore, këmisha tradicionale rumune e festës, konsiderohet edhe si pjesa më e rëndësishme e kostumit popullor. Siç edhe përshkruhet në faqen e internetit të komunitetit nismëtar, ajo përcakton edhe kompozimin zbukurues të kostumit, pjesën tjetër të veshjes që duhet të lidhet me të, që është e detyrueshme të përshtatet në kohë, moshë, ngjyra dhe ornamente.
Ky simbol ka frymëzuar edhe piktorin e shquar Henri Matisse (1869 – 1954) i cili ka edhe një pikturë me titullin: “La Blouse roumaine”. Kjo pikturë bashkë me shpjegimin përkatës gjendet në Muzeun “Pompidou”. Piktura i është dorëzuar shtetit francez në vitin 1953 dhe ka nisur të pikturohet në dhjetorin e vitit 1939 në Nisë, në hotelin “Regina”. Kjo vepër i mori piktorit 6 muaj punë. Për ta dokumentuar procesin krijues, artisti mori 11 fotografë që fiksuan në celuloid edhe procesin e gjatë të zhvillimit të saj. Këto çaste piktori i pasqyroi gjatë në një procesi krijimi në Paris në galerinë “Maeght” duke vendosur theksin në thjeshtimin e nevojshëm gjatë procesit të bashkimit të ngjyrave dhe linjave. Në formën e saj përfundimtare, detajet e modeles Lydia Delectorskaya janë lënë jashtë, fshirë ose mbuluar. Thjeshtësia rrumbullake e fytyrës i bën jehonë kthesave të mëngëve. Harmonia e fuqishme e tre fushave kryesore të ngjyrës, i jep pikturës një gjallëri të madhe.
Por përtej dëshirës për të festuar një simbol të rëndësishëm kulturor, përtej synimit për të krijuar lidhje dhe njohje përmes kulturës, përmes festimit të kësaj dite edhe vetë tekstilet rumune po fitojnë një tjetër njohje në plan ndërkombëtar. Falë saj po ridimensionohet vendi i komunitetit rural në identitetin kulturor dhe po rivlerësohet edhe trashëgimia kulturore.
Sot 24 qershori si Dita Universale e IE-s rumune është kthyer në një model të vërtetë diplomacie kulturore dhe aktivizmi shoqëror. Festimi i këtij simboli kulturor ndihmon njohjen dhe përcjelljen e traditave dhe të pasurisë shpirtërore të një kombi, tek brezat që do të vijnë. Aktivitetet kulturore janë përherë të dobishshme si ura dialogu që ndihmojnë në zhvillimin e aftësive komunikuese përmes përkatësisë kulturore.