Nga: Marsela SINANI
Përtej patriotizimit, Donila Pipa ka treguar ndër vite se di të bashkëjetojë mjaft mirë me komunitete të ndryshme, e në të njëjtën kohë të dëshmojë sesa krenare është për origjinën e të parëve të saj.
Donila Pipa, arumune me origjina nga plasa Lart, fërshërote, është një shembull për të gjithë ata që nuk hoqën dorë nga tradita.
Të jesh patriote do të thotë të bësh më të mirën për vendin tënd. Kjo është çfarë ka bërë edhe Donila, duke na dhënë mësimin më të vyer në jetë, se nuk ka gjë më të çmuar se të duash dhe të vlerësosh prejardhjen.
Donila Nikolla Pipa, është rritur me dashuri për këtë komunitet që e vogël. Një familje që asnjëherë nuk e pati për turp që janë minoritet, përkundrazi! Dëshmoi anën tjetër të medaljes. Angazhimet e saj profesionale janë të shumta në numër.
Ajo ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuara e rritur dhe e edukuar në familje nga prindërit me dashurinë për vlerat që ndajnë.
I ati, Nikolla Pipa, një personalitet i njohur, ka qenë kryetar i shoqatës të miqësisë Rumani- Shqipëri dhe më pas i shoqatës arumune për Korçën si kryetar.
Donila ka recituar, ka prezantuar kur bëheshin aktivitete, apo së bashku me fëmijë të tjerë arumunë dhe prindërit e tyre kanë dalë për Krishlindje, për Kolindat.
Jo vetëm kaq, por ajo ka qenë e angazhuar në konferenca, si dhe ka shkruar disa artikuj për arumunët. Së fundmi ka qenë së bashku me të atin e saj si redaktore e lajmeve dhe prezantuese e lajmeve në radion dhe TV Korçar në dialektin arumun, të folmen fërshërote. Donila Pipa ka përfunduar studimet e larta ‘Drejtësi” në Timishoara, masterin dhe doktoraturën në qytetin e luleve dhe kulturës.
Ajo e ka mbyllur këtë prononcim për ‘arumun.com ’, me një mesazh që prek çdokënd: ‘Duajeni dhe vlerësojeni prejardhjen. Zgjohuni duke i thënë vetes se jam krenar që jam Fërshërot”.