Aneksi i Bibliotekës nuk do të jetë më një godinë në hije, por një qendër për librin, teknologjinë, të rinjtë. Një qendër dialogu që lidh të shkuarën e të ardhmen. Kjo është fjala e Ministres së Kulturës, Elva Margariti, ku në diskutimet për rijetëzimin e Aneksit të Bibliotekës Kombëtare merrnin pjesë dhe drejtori i BKSH Piro Misha dhe arkitekti Gent Agolli.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (më tej BKSh), si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së ‘Komisisë Letrare Shqipe’. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar.
Në momentin e përurimit si BKSh, 1922, ajo kishte rreth 6.000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur institucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe Sotir Kolea.