Është përuruar sot në qytetin e Fierit në mjediset e Vilës “Monark”, botimi i abetares së dialektit arumun. Të pranishëm në këtë aktivitet kulturor ishin përfaqësues të komunitetit arumun në Fier, të rinj, prindër fierakë, fëmijët e të cilëve ndjekin studimet në institucionet arsimore rumune, etj.
Ky aktivitet i mbajtur paraditen e së shtunës së 19 dhjetorit 2020, u organizua nga Fondacioni “Harriet Martineau” me seli në Tiranë, që kishte zgjedhur qytetin e Fierit për këtë përurim.
Aktivitetin e prezantoi Vilma Zonja e cila në hyrje të fjalës së saj u shpreh se ishte “pjestare e një familje arumune të qytetit të Fierit. “Qyteti ynë njihet për praninë e rëndësishme të kësaj pakice kombëtare”, tha ajo, ndërsa bëri edhe një prezantim për të pranishmit të një materiali te shkurtër rreth kesaj abetareje.
Në emër të organizatorëve të këtij aktiviteti, moderatorja e takimit shprehu falënderimet për ata që e bënë të mundur këtë manual të rëndësishëm për mësimin e gjuhës: redaktorin shkencor Andon Kristo, bashkëpunëtorin e ngushtë të autorit të abetares z. Julis Binjaku, Departamentin e Rumunëve të Kudondodhur (DRP) pa ndihmën e të cilit nuk do të kishim pasur mundësinë e botimit.
Në sezonin e dytë të thirrjeve për projekte nga ana Departamentit të Rumunëve të Kudondodhur (DRP) Fondacioni “Herriet Martino” aplikoi për botimin e një abetareje në dialektin arumun. Duke marrë miratimin dhe mbështetjen nga ana e DRP-së një ekip i Fondacionit, punoi për përgatitjen e saj dhe sot jemi mbledhur për të festuar daljen në duart e lexuesve fierakë.
Më tej ajo ia kaloi fjalën Drejtores së Fondacionit znj. Entela Binjaku.
“Qëllimi për botimin e kësaj abetareje është të ruajë dialektin arumun, ta përcjellë atë tek më të vegjlit duke zhvilluar më tej lidhjet me Rumaninë”, tha Binjaku në fjalën e saj.
“Abetarja do të bëhet pjesë e qarqeve kultore arumune, bibliotekave të të gjitha qyteteve tona ku ndodhet një pakicë e konsiderueshme e këtij komuniteti, si dhe kudo ku ka interes për të mësuar këtë dialekt.
Ne zgjodhëm Fierin si të parin qytet ku po shpërndajmë abetaren, sepse autori është fierak dhe ky qytet dallon për praninë e kësaj pakice. Dje i kemi dhuruar Bibliotekës “Dritëro Agolli” një sasi librash për lexuesit e saj dhe këto ditë do të vijojmë me Bibliotekën “Shevqet Musaraj” në qytetin e Vlorës, të Elbasanit dhe me dhuratat për fëmijët arumunë të Shkollës arumunë të Divjakës si dhe të Pogradecit etj.
Ajo vijoi me arsyet që e nxitën për aplikimin dhe realizimin e këtij projekti, si dhe për mënyrën si dalja e këtij botimi është duke u përcjellë në kanalet mediatike lokale dhe kombëtare.
Më tej fjalën e morën përfaqësues nga arumunët fierakë. Në fjalën e tij, Aleks Semeu sekretari organizativ i Partisë A.B.D.E dhe zëvendës kryetari i Shoqatës arumune vllahe, shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin për këto projekte dhe nevojën për të çuar përpara projekte në ndihmë të njohjes së vlerave të pakicës kombëtare arumune.
Shkrimtari dhe piktori i njohur arumun Sotiraq Bega, ndër të tjera edhe autor i librit “Fieri dhe fierakët e vjetër” i përuruar në majin e vitit të kaluar, përshëndeti nismën dhe cilindo hap që ka për qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar. Ai foli për lidhjet e forta me Rumaninë dhe vlerat shpirtërore të pakicës arumune tanimë prej disa vitesh e njohur me ligj si “minoritet kombëtar në Republikën e Shqipërisë”.
Aktiviteti në të cilin morën pjesë anëtarë të komunitetit arumun të qytetit, përfshiu përurimin e abetares dhe të portalit informativ “ARUMUN.COM”.
Të dyja këto projekte janë realizuar me mbështetjen e Departamentit të Rumunëve të Kudondodhur (DRP).
Në përfundim të pranishmit ndanë edhe urimet e fundvitit me njëri-tjetrin.
