Shqipëri-Rumani/Mircea Perpelea përfundoi misionin diplomatik, por la gjurmë të thella

Nga: Marsela SINANI

Shkëlqesia e Tij, z. Mircea Perpelea, ambasadori i Rumanisë në Republikën e Shqipërisë, nga muaji korrik i vitit 2016, deri në vitin 2020, është një personalitet që ka lënë gjurmë. Me rastin e përfundimit të misionit diplomatik në Shqipëri, portali ‘arumun.com, rikujton kohën nga mbërritja dhe gjithë shërbesën e vyer për Shqipërinë.

Në një intervistë të dhënë në vitin 2017, z. Mircea Perpelea kishte mbetur i surprizuar, pasi ishte më mirë sesa ai e priste. Ai u has me një vend me një përqasje të shpejtë drejt vlerave evropiane, i cili merr përsipër përgjegjësitë dhe bën përpjekje të guximshme. Respekton të kaluarën, dhe punon për të ardhmen.

Ambasadori Perpelea, gjatë misionit të tij diplomatik i ka vlerësuar lidhjet mes Rumanisë dhe Shqipërisë. Në majin e vitit 2018, ai solli për lexuesit shqiptarë botimin me titull: “Duke ardhur në Shtëpi në Evropë…nga Lindja” – A mund të jetë përvoja e aderimit të Rumanisë në BE një model për Shqipërinë?”.

Libri u bë i njohur për të pranishmit në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Disa muaj më vonë, ky botim u prezantua edhe për qytetarët fierakë në mjediset e Bibliotekës “Dritëro Agolli”.

Po kështu, komuniteti i rëndësishëm arumun në Shqipëri, luan një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve. Ky raport mes dy vendeve dëshifrohet mjaft qartë dhe gdhendet edhe në libra, që do shoqërojnë breza të tërë. Një ndër to është libri  “Miqësi nëpër kohëra-përbashkësi rumuno-shqiptare”.

Autorët e këtij botimi janë Mircea Perpelea dhe Marcel N. Popescu. Të dy autorët, Perpelea dhe Popescu, personalitete në fushat e tyre, zgjodhën këtë vjeshtë të 2020 –ës për t’ju qasur lexuesve të interesuar në fushën e marrëdhënieve rumuno-shqiptare.  Me udhëtimin në zhvillimet historike dhe kulturore të dy popujve, ata synojnë të vendosin edhe një tjetër gur themeli në zhvillimet e përbashkëta.

Përmes shfletimit të faqeve, lexuesit do të përballen me të përbashkëtat historike dhe kulturore në rrugën e dy popujve tanë.

Kushdo që do ta shfletojë këtë vëllim, do të kuptojë rezultatin final, atë të punës në grup. Mircea Perpelea i cili është profesor universiteti, ekonomist dhe doktor inxhinier, na bën që të kthejmë kokën pas e të nxjerrim mësimet se mbi gjithçka, kësaj toke i duhen njerëz të mirë sikundër është ai. Ky punim përbën një ndihmesë me vlerë për njohjen e realiteteve historike në rajonin e Ballkanit, duke marrë shkas nga marrëdhëniet tradicionale dhe vëllazërore ndërmjet popujve rumun e shqiptar.

Të martën e datës 13 tetor 2020, në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, z. Ilir Xhakolli, në një bisedë pune të dy nënkryetarëve të saj, znj. Entela Gusho dhe z. Paskalino Ziko, me ambasadorin e Rumanisë në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij, z. Mirçea Perpelea, në sallën kryesore të Bashkisë u përurua libri i këtij të fundit dhe i Marçel Popeskut “Miqësi në kohëra”. Shqipërimi dhe parathënia e këtij libri mban emrin e mirënjohur të akademikut Kopi Kyçyku. 

Morën pjesë qytetarë pogradecarë, anëtarë të Shoqatës Kulturore Arumune “Niça” dhe kryetari i saj, z. Dhimitri Tanellari. Aktiviteti u drejtua nga Andi Kosta.

Ky botim u prezantua edhe në mjediset universitare të Korçës. Mesditën e së enjtes së 5 nëntorit, në mjediset e Bibliotekës së Fakultetit të Edukimit dhe të Filologjisë së Universitetit “Fan Noli” në Korçë. Ky takim  u organizua nga Qendra Rumune e Informimit në Korçë në bashkëpunim me Ambasadën Rumune në Tiranë dhe me Universitetin “Fan Noli”. Ky aktivitet u mbajt edhe me mbështetjen e Departamentit të Rumunëve të Kudondodhur në Rumani.

Z. Perpelea është një personalitet i spikatur në jetën shoqërore në Rumani, me një përvojë 10-vjeçare, në një pozicion drejtues në “Bankën Kombëtare të Rumanisë”, dhe ka dhënë një kontribut të vyer në fushën e administratës publike si Prefekt i Rrethit “Vëlçea”. Z. Perpelea ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm në Marsejë të Francës. Ka titullin “Doktor” në shkencat elektroteknike dhe ekonomike. Është profesor në “Shkollën Kombëtare të Shkencave Politike dhe Administrative”. Autor i shumë librave dhe një numri të madh artikujsh në fushën elektroteknike dhe ekonomike.

Punimet e z. Perpelea janë botuar brenda dhe jashtë Rumanisë. Ato janë pjesë e Bibliotekës së Universitetit të Bukureshtit.

GIF Image

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here