Në një intervistë dhënë  në fundin e vitit të kaluar, Marius Dobrescu, përkthyes i shquar i shkrimtarit të madh Ismail Kadare shprehej:  

Në vitin 2020 shtëpia botuese “Humanitas” me të cilën punoj prej mbi 10 vjetësh, do të botojë me radhë një vëllim nga novelat e Kadaresë, e më pas dy ribotime: “Aksidenti” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe në fund të vitit do të dalë sërish këtu “Mëngjeset në kafe Rostand”.  

Këtë vit nga shtëpia botuese “Humanitas” kanë dalë të përkthyera në rumanisht nga Marius Dobrescu këto vepra të  shkrimtarit tonë të madh:  “Kalorësi me skifter” , “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe ja ku erdhëm në fund të këtij viti dhe pritet që libri të dalë së shpejti nëpër librari “Mëngjeset në kafe Rostand”.  

Ky botimi kryhet në kuadër të serisë me titull “Rafti i Denisës”.

Lajmin për këtë e ka dhënë vetë z. Dobresku i cili në faqen e tij në median sociale ndau me ndjekësit një fragment nga prezantimi i shtëpisë botuese “Humanitas”.

 “Një libër i jashtëzakonshëm i njërit prej shkrimtarëve të mëdhenj evropianë. Së shpejti në librari. Një vëllim i kujtimeve dhe i refleksioneve mbi disa tema që lidhen sa me jetën reale, po aq me biografinë subjektive të shkrimtarit, sa dhe me procesin krijues. Zbulimi i qytetit është një temë e paracaktuar, vëllimi është një debutim i sjelljes në kujtesë të vizitës së parë të Kadaresë në fillimet e viteve 70. Duke e ndarë kohën mes Tiranës dhe Parisit në dekadat e fundit, shkrimtari e beri ritual të përditshëm të jetës pariziene mëngjeset e kaluara në Café Rostand, duke pasur përballë Jardin du Luxembourg. Ato janë katalizatori i këtyre shkrimeve që risjellin përvojën e autorit në Tiranë dhe në Moskë, miqtë letrarë dhe dashuritë e rinisë në një Shqipëri shtypëse dhe të hirtë por edhe Çmimi Nobel, Akademinë Franceze, tragjedinë greke apo Makbethin, shtitjet në rrugët e Parisit, takimet me personalitetet e letërsisë.  

Mbi të gjitha “Mëngjeset në Café Rostand” është një deklaratë dashurie për Parisin, Parisin e ëndërruar në vitet e rinisë dhe Parisin e vërtëte ku Kadareja krijoi një pjesë të madhe të veprës së tij dhe në të njëjtën kohë edhe një profesion të besimit të shkrimtarit shqiptar, francez, evropian”.  

 Marius Dobrescu (Marius Dobresku) është i vetmi specialist i gjuhës shqipe që gëzon besimin dhe miratimin nga shkrimtari Ismail Kadare për të përkthyer veprën e tij. Duke ja vlerësuar punën, shkrimtari i shquar është shprehur për të se ai është: “përkthyesi më i mirë dhe më besnik i tij”.

I lindur në qytetin e vogël Brëilas në Rumani, Dobresku është shkrimtar, gazetar, përkthyes dhe eseist i njohur. Falë një burse studimi nga shteti rumun në vitin 1971 ai erdhi në Tiranë për të studiuar gjuhën shqipe. Kjo ishte koha kur shteti rumun përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme përgatiste specialistë në disa prej gjuhëve të quajtura “të rralla”.

Në përfundim të katër viteve, ai diplomohet me një punim mbi veprën e Kadaresë, vepër e cila e shoqëron edhe sot.  Duke u thelluar më tej në figurën e nderuar të këtij përkthyesi mësojmë se ai  është anëtar i lidhjes së shkrimtarëve rumunë, anëtar dhe më pas edhe drejtues i shoqatës së miqësisë Rumani-Shqipëri, anëtar i shoqatës së Ballkanistikës dhe Sllavinistikës, zv.president i shoqatës së gazetarëve dhe shkrimtarëve të pakicave etnike të Rumanisë “Europa 21”. Gjatë gjithë karrierës së tij ai është nderuar me çmime dhe vlerësime të shumta si:  me çmimin për përkthimin nga lidhja e shkrimtarëve të Rumanisë, i nderuar me “Penen e argjendtë” nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, i nderuar me “Penën e Artë” nga Lidhja  e Shkrimtarëve të Shqipërisë, është nderuar me çmimin për gazetarinë e pakicave kombëtare etj. Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani i ka akorduar z. Dobresku  “Medaljen e mirënjohjes”,  për kontributet e tij edhe Bashkia e Korcës e ka vlerësuar me  “Emblemën e artë të qytetit” etj.