Regjisori Altin Basha do të drejtojë Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, pas vendimit të qeverisë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, prezantoi drejtorin e ri të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, regjisorin Altin Basha në praninë e ish-drejtorit Kiço Londo.

Gjatë prezantimit që u bë për titullarin e ri të këtij institucioni nga ministrja e Kulturës Elva Margariti të martën në mjediset e teatrit, mes të tjerave regjisori Kiço Londo shprehu dhe keqardhjen e tij që po largohej nga kjo shërbesë.

Sipas ministres së Kulturës, është dhe një moment ku duhet shumë sforco dhe të ecet në hapat e një mendësie tjetër. “Merr një detyrë në një moment të vështirë dhe delikat për teatrin. Është momenti për të cilin do të duhet shumë sforco dhe të ecim në hapin e një mendësie tjetër, të ecim në një mendësi të re në këtë periudhe pandemie”, tha ministrja Elva Margariti.

Kujtojmë këtu se regjisori Kiço Londo, drejtoi Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga qershori i vitit 2014, për të qëndruar në këtë detyrë deri në ditët e para të dhjetorit 2020. Ai solli në skenë vepra të ndryshme dhe që patën suksesin e tyre. “Nuk dua që ta fsheh që ndihem i trishtuar edhe i keqardhur që më duhet për shkak të respektimit të institucioneve të largohem nga kjo shërbesë, edhe t’i lë vendin drejtorit pasardhës. Ndihem sikur më kanë larguar nga shtëpia ime”, tha regjisori Kiço Londo në reagim e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here