Në emër të autorit/“Shpërndajeni arumanishten tonë! Në duart tuaja, e ardhmja e kësaj gjuhe të bukur”

Unë që po shkruaj këto fjalë jam një arumune pensioniste 80 e ca vjeçare nga qyteti i Fierit. Kam punuar si mësuese e ciklit të ulët në këtë qytet.

Prindërit e mi kanë ardhur nga Voskopoja, qytet me një kulturë të lashtë arumune. Gjatë kohës që punoja si mësuese, mendoja shpesh: pse të mos shkruhet dhe lexohet gjuha arumune?

Të gjithë arumunët e brezit tim e flasin gjuhën e nënës. Edhe fëmijët e mi apo dhe shumë arumunë të tjerë, e njohin por duhet ta mësojnë edhe më shumë këtë gjuhë që na identifikon.

Sot më vjen mirë kur në televizion shikoj dhe dëgjoj programe ku flitet arumanisht, por më vjen keq që në qytetin tonë nuk punohet në këtë drejtim.

Ne e kemi trashëguar këtë gjuhë brez pas brezi, por fatkeqësisht me të folur (dhe jo me të shkruar).

Dëshira për ta shkruar gjuhën tonë arumune, ka qenë e hershme. Fatkeqësisht, mungesa e librave e bënte më të vështirë. Shpesh në rrethet familjare, apo edhe intelektuale flitej për këtë mungesë.

Thoma Binjaku nisi punën të hartonte abetaren e shumëpritur, pikërisht nga kjo mungesë por dhe nga dëshira e madhe që edhe ne arumunët në Shqipëri të kishim abetaren tonë.

Shumë orë të gjata të qëndruara mbi modele e skica, shumë biseda me miq të fushës së arsimit, për të nxjerrë në botim një punë cilësore që t’u mbetet brezave. Qindra fletë të shkruara në arumanisht, për të arritur në versionin përfundimtar.

Ju fëmijë e të rritur që do të mbani në duar abetaren arumune, mos harroni se në duart tuaja është edhe e ardhmja e kësaj gjuhe të bukur.

Ju mësues që do të përcillni arumanishten, mos harroni se kështu do të përcillni një gjuhë shekullore, gjuhën e të parëve tanë!

Jam e nderuar që këto rreshta po jua drejtoj juve, lexuesve të kësaj abetareje! Lexojeni dhe shpërndajeni arumanishten tonë!

Me nderime

Marie Çaçi Binjaku

GIF Image

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here