Pandemia e COVID-19 e ka vështirësuar edhe më shumë sezonin e sivjetshëm të gripit. Mesazhi që vjen nga Ministria e Shëndetësisë është vaksinimi, për të mbrojtur veten e familjen. Për personat që kanë një spektër më të gjerë të problemeve shëndetësore, gripi mund të jetë një sëmundje serioze, e madje edhe fatale.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Arsimit Evis Kushi, kanë vizituar shkollën “1 Qershori” në Tiranë.
Manastirliu bëri me dije se ka nisur vaksinimi i mësuesve, dhe do të shtrihet në të gjithë vendin. 368.000 vaksina kundër gripit do të jenë falas.
“Vaksinimi do të vijojë në çdo qendër shëndetësore, si pjesë e strategjisë së vjeshtë-dimër, për mbrojtjen e grupeve të rrezikuara duke filluar nga personeli mjekësor, fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe edukatoret e arsimtarët në të gjithë vendin”, u shpreh Manastirliu.