Covid-19 mposhti ish-deputetin Marko Bello. Ai humbi betejën me flamën e këtij shekulli, koronavirusin. Për politikën shqiptare, ish-deputeti socialist ishte personi që gëzonte më tepër respekt nga të dyja kampet e politikës, si nga e majta dhe e djathta. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ai ishte dërguar për kurim në Turqi, por nuk mundi të mposhte virusin vdekjeprurës. Bello humbi betejën pas ndërlikimeve të shkaktuara nga infektimi. Ish-deputeti, 59-vjeç, ka qenë i shtruar në një spital turk prej 23 ditësh.
Bello pas largimit nga jeta aktive politike në vitin 2013, nuk hoqi dorë nga prezenca në media, duke dhënë mendime e opinione mbi situatën politike apo çështje të tjera.
Marko Bello lindi në 12 shtator të vitit 1961 dhe ka qenë deputet i Partisë Socialiste për 3 mandate, nga viti 2001 deri në 2013. Ai ka mbajtur edhe postin e ministrit për Integrimin Evropian dhe ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar.
Në vitet 1997-2000, Marko Bello ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Rumani, dhe më pas zvendësministër i Mbrojtjes. Bello ishte dhe një nga anëtarët themelues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
Për tre herë radhazi ishte deputet i PS-së nga 2001-2013. Ai ka mbajtur poste qeveritare si Ministër për Integrimin Europian dhe Ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar.
Ambasadori Bello mbante gradën Doktor i Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare (P.H.D), gradë shkencore që ai e ka fituar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Krajovës, Rumani. Përpara se të emërohej ambasador, Marko Bello ka punuar për disa vite si korrespondent i agjencisë Reuters në Tiranë dhe Bukuresht si dhe radios britanike BBC.