Mozaiku i Tiranës është vlerësuar si një thesar i trashëgimisë kulturore të Tiranës. Me vlera në trashëgiminë kulturore, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë, njofton së fundmi se Mozaiku i Tiranës është vizituar nga nxënës shkollash. 

Në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”, nxënësit e shkollave të Tiranës janë njohur me Trashëgiminë Kulturore të vendit tonë, nëpërmjet guidave në Mozaikun e Tiranës. Mozaiku i Tiranës mbetet preferenca e vizitorëve në kryeqytet.

Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik.

Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë, ishte ambienti kryesor i saj. Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI, vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK). Gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani”, zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme.

Vlen të theksohet fakti se Mozaiku i Tiranës është një prej destinacioneve të itinerarit turistik në kryeqytet, ku që vjet iu nënshtrua dhe një ndërhyrjeje restauruese.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here