Në Laboratorin e Restaurimit në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, po kryhen procese për veprat që janë me probleme. Këtë e ka njoftuar Ministrja e Kulturës Elva Margariti, ku njofton se po vijon puna për veprat e ndryshme të artit, duke nxjerrë në dritë vlerat e tyre. Ministrja sqaron se po bëhet një punë voluminoze, për të shpëtuar nga degradimi vepra të trashëgimisë sonë ikonografike, duke nxjerrë në dritë vlera të jashtëzakonshme.

“Çdo ditë, në Laboratorin e Restaurimit, në Muzeun Kombëtar Mesjetar, në Korçë shpëtohen nga degradimi vepra të trashëgimisë sonë ikonografike, duke nxjerrë në dritë vlera të jashtëzakonshme.

Ekspozita “Restaurime” sjell në vëmendjen e publikut këto operacione delikate, që i rikthejnë shkëlqimin e venitur nga koha.

Ikona e “Shën Minait”, e mesjetës së hershme, prejardhur nga Kisha e “Shën Mërisë”, në Ogren të Përmetit është shembulli më i mirë i punës plot durim e pasion të specialistëve të Muzeut Kombëtar Mesjetar, në Korçë”, njofton ministrja Margariti.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, është përuruar më 24 prill 1980. Është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here