Unë kam lindur në Fier në 4 shtator 1994 dhe në moshën 19 vjeçare kam fituar një bursë studimi në Rumani për regji filmi dhe tv në UNATC, Bukuresht. 

Pasioni im për filmin mori një formë më serioze në moshën 17 vjeçe, kur unë isha pjesë e një workshopi kinematografik në Fier, i cili quhej “Çinefier” dhe realizova për herë të parë një film me metrazh të shkurtër. Gjatë viteve të fëmijërisë ëndërroja të isha artiste. Adhuroja artin: muzikën, pikturën, teatrin dhe filmin. Në vitin e fundit të gjimnazit, kur u bëra pjesë e workoshopit kinematografik “Cinefier”, e kuptova që unë këtë gjë doja të bëja në jetën time: film. Diskutimet ishin të shumta në familjen time rreth zgjedhjes që unë duhej  të bëja. Prindërit e mi asnjëherë nuk më kanë ndaluar të ndjek ëndrrat e mia, ashtu vepruan edhe këtë herë. Ata e pranuan dëshirën time për të studiuar film dhe erdhën edhe me një propozim shumë të veçantë që unë të studioja në Rumani. Duke pasur rrënjë arumune, pata mundësinë që nëpërmjet shoqatës së arumunëve në Shqipëri të marr një bursë studimi në Bukuresht në një nga shkollat më të mira të filmit në Europën Lindore : UNATC. 

Në tetor të vitit 2013, anëtarët e shoqatës arumune në Shqipëri organizuan udhëtimin tonë të parë drejt Rumanisë. Ne ishim rreth 50 studentë, të cilët do të mësonin gjuhën rumune. Viti i parë në Rumani quhej viti përgatitor ku të gjithë studentët mësonin gjuhën rumune. Në vitin e ardhshëm fillonim studimet në shkollën e lartë. 

Mbaj mend që udhëtimi me autobus drejt Rumanisë ishte shumë i gjatë dhe emocionues. Unë do të mësoja gjuhën në Cluj-Napoca, një qytet në veriperëndim të Rumanisë, shumë i bukur dhe me një kulturë të pasur. Mund të them që eksperienca e vitit përgatitor ishte e mrekullueshme. Në vitin përgatitor programi mësimor ishte shumë i thjeshtë : mësimi i gjuhës rumune. Kështu që pjesën e parë të ditës e kaloja në shkollë ku kishim mësim ditë për ditë, kurse pas mësimit dilja nëpër Cluj dhe bëja fotografi, shkoja në kinema, në qendra tregtare, dilja në park ose në lokale të ndryshme. Ky vit në Cluj ishte më tepër si një udhëtim kulturor për mua, sepse mësoja gjuhën, njihja kulturën e Rumanisë, vizitoja vende të ndryshme, shkoja në festivale filmi ose muzike. Dua të përmend që në Cluj ne kemi qenë shumë shqiptarë që mësonim gjuhën dhe ishim të bashkuar. Atmosfera ishte shumë e këndshme. Ndonjëherë harroja që isha aq larg shtëpisë. 

Në vjeshtën e vitit 2014 u shpërngula në Bukuresht, i cili do të ishte shtëpia ime për 6 vitet e ardhshme.

Jam diplomuar në regji filmi dhe tv e më pas vazhdova masterin për produksion filmi, kurse tashmë vazhdoj doktoraturën në kinematografi. Gjatë kohës së studimeve për regji kam realizuar disa filma me metrazh të shkurtër si “Padre”, “Kapoera, kërcimi i lirisë”, “Realscope”, “Ujë i thatë”, “Ai dashuron sytë e mi”, kurse gjatë periudhës së masterit në produksion kam realizuar më shumë se 10 filma me metrazh të shkurtër, te të gjithë si producente. Të gjithë filmat e mi kanë pasur fatin të jenë pjesë në festivale të ndryshme të filmave. Çmimet kanë qenë të shumta.

Mund të përmend disa çmime të rëndësishme si: Realscope (filmi më i mirë eksperimental) Festivali SECCS në Stamboll, “Ai dashuron sytë e mi” (cmimi per regjine me te mire), “Vjeshtë në Voronec”, Filmi më i mirë i shkollës – Festivali i producentëve independent, Çmimi “Ion Bostan” për dokumentarin rumun më të mirë, çmimi për montazh , Gopo – dokumentari më i mirë me metrazh të shkurtër. Përveç realizimeve personale, në këto 7 vite në Rumani kam punuar nëpër filma me metrazh të shkurtër ose të gjatë si asistente regjie, script supervisor apo asistente produksioni. 

Jeta e një studenti të huaj në Rumani në fillim është pak e vështirë, por me kalimin e viteve mëson t’ i bëjë ballë vështirësive i vetëm. E njëjta gjë ndodhi edhe me mua. Vitet e para, si studente e regjisë së filmit, ishin të vështira, sepse nuk njihja njerëz në industrinë e filmit që të më ndihmonin në projektet e mia artistike. Kaloja shumë kohë në mjediset e universitetit ku studioja. Informacioni që merrnim gjatë kurseve ishte shumë i madh dhe duhej kohë që ta procesoja. Dita ime fillonte në shkollë dhe atje mbaronte. Më ngelte shumë pak kohë për veten time. Përpiqesha të vendosja një balancë midis jetës profesionale dhe asaj personale. Kisha shumë filma për të parë, shumë detyra për të shkruar, filma për të bërë. Kur kisha pak kohë të lirë, dilja nëpër Bukuresht ose  shkoja në koncerte të ndryshme rock apo në kinema. 

Jeta ime ishte pak kaotike, në kuptimin që nuk kisha kohë të kujdesesha për veten time, të ushqehesha në mënyrë të shëndetshme apo të flija aq sa do të dëshiroja unë. Filmi ishte gjithçka për mua, kështu  injorova çdo aspekt tjetër të jetës dhe iu dedikova atij. Profesioni i regjisorit nuk mësohet vetëm duke parë filma, duke shkruar apo duke lexuar, duhet edhe ta praktikosh. Kështu që në vitet që pasuan, punët praktike zunë një vend të rëndësishëm në jetën time. Tek punët praktike e kam fjalën për xhirimet. Përveç aktiviteteve të përmendura me sipër, unë fillova të shkoja nëpër xhirime, qoftë të projekteve të mia apo edhe të kolegëve të mi. Kam qenë pjesë e mbi 50 xhirimeve në kuadrin e projekteve shkollore apo edhe jashtë saj. Më pëlqente shumë të isha në xhirime, të bëja çdo lloj pune që ishte e nevojshme dhe kështu eksperimentoja me punë të ndryshme në një sheshxhirim si asistente regjie, script supervisor, asistente produksioni ose edhe producent eksekutiv. 

Në master ritualet ditore ndryshojnë pak. Nuk duhet të shkoja në shkollë ditë për ditë, kështu që kisha kohë të merresha më tepër me veten time, të punoja për projektet e mia personale apo edhe të argëtohesha. Gjatë viteve në Rumani kam udhëtuar shumë nëpër qytete të ndryshme dhe kam zbuluar bukuritë e Rumanisë, kam mësuar shumë mbi traditat rumune. 

Një rol të rëndësishme në jetën time kanë pasur edhe festivalet e filmit ku kam marrë pjesë me filmat e mi studentor. Pjesa më e bukur në karrierën time si regjisore e re ishin këto festivale ku kam njohur njerëz nga industria e filmit dhe kam prezantuar projektet e mia. Unë dhe filmat e mi kemi qenë pjesë në festivale në Rumani, në Shqipëri, në Itali, Gjermani, Bosnje, Suedi, Ukrainelë, Rusi, Turqi, Bullgari. 

Në vitet e fundit vazhdoj doktoraturën. Për shkak të pandemisë jeta ime nuk është më aq aktive sa ka qenë me përpara. Gjithçka është zhvendosur online: kurset, festivalet e filmit, koncertet rock. Eh, në fakt më ka marrë shumë malli per vitet e shkuara! Gjithçka është zhvendosur përballë  një kompjuteri. Kënaqem kur shkoj në xhirime, të cilat kohët e fundit janë të pakta, por më nxjerrin nga monotonia e përditshme. 

Si një studente shqiptare,  në një vend të huaj, unë mendoj se kam realizuar shumë në këto 7 vite: shumë filma të krijuar nga unë, shumë festivale filmi, çmime të rëndësishme të fituara. 

Por këto realizime kanë mbrapa një ndihmë shumë të madhe nga disa njerëz dhe institucione, të cilat unë dua t’i permend: 

Familja ime, mami Aurora dhe babi Aleko,

gjyshërit e mi Stefan dhe Evelina,

Universitatea Natioanala de Teatru si Cinematografie Ion Luca Caragiale Bucuresti me të gjithë profesorët e mi, të cilët më kanë mbështetur në çdo hap të jetës sime, 

Shoqata e Arumunëve në Shqipëri

Ambasada Shqiptare në Rumani dhe Ambasada Rumune në Shqipëri,

kolegët e mi kineastë, të cilët më kanë qëndruar gjithmonë pranë.