Shqipëria feston sot 76-vjetorin e çlirimit, në përkujtim të 29 nëntorit 1944 të fitores ndaj pushtuesve nazifashistë.
Krerët më të lartë të shtetit, kanë zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, duke vendosur kurora me lule pranë memorialit “Nënë Shqipëri”.
Kreu i qeverisë Edi Rama, kreu i shtetit Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, mbajtën homazhe. Ata vendosën kurora me lule në memorialin e Dëshmorëve të atdheut dhe u përulën para tij.
Sikundër një ditë më parë, në ceremoninë e ditës së flamurit, kryeministri Rama dhe presidenti Meta kanë ruajtur distancën mes njëri-tjetrit, duke reflektuar edhe përplasjet politike të kohëve të fundit.
Presidenti Meta, teksa u shkëput nga ceremonia, e shfrytëzoi këtë moment për t’iu drejtuar qytetarëve me një thirrje, se ata duhet të marrin në dorë fatet e tyre.
Pas kryerjes së nderimeve pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, Meta ka zhvilluar një prononcim për mediat, duket folur edhe për debatin lidhur me datat. Në fjalën e tij, Meta u shpreh se nuk ka asnjë debat për datat, pasi për të është vetëm 29 nëntori për çlirimin. Ndërkohë që shtoi se të gjithë shqiptarët duhet të marrin fatin e tyre në dorë, për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste, dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane. Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman.