Përkujtojmë 21 tetorin, ditën e themelimit të Shoqatës Kulturore “Arumunët e Shqipërisë”

Përkujtojmë 21 tetorin, ditën e themelimit të Shoqatës Kulturore “Arumunët e Shqipërisë”

21 tetori i vitit 1991 është edhe viti i themelimit të Shoqatës Kulturore “Arumunët e Shqipërisë”.

Në nderim të kësaj date dhe në vijimësi të aktivitetit të saj, shoqata organizon takime ku marrin pjesë aktivistë, anëtarë dhe drejtues të degëve në rrethe.

Në takimin e vitit të kaluar të mbajtur në mjediset e hotel “Grandit” në Tiranë, të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësuesi më i lartë i Rumanisë në vendin tonë Ambasadori SH.T. Mircea Perpelea, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë z. Ervin Bushati, konsulli i Rumanisë në Korçë Elvis Toçi, drejtuesi i shoqatës “Nikolla Jorga” Pano Bakalli etj. Takimi nisi me një minutë heshtje për të gjithë kontribuesit në vite që janë ndarë nga jeta.

Në programin e këtij takimi ishte paraqitja e tre botimeve të reja nga të cilat dy libra në poezi dhe prozë të autorit Ligor Thano dhe përkthimi i romanit me titull “Sokrat Buba” i autorit Thanas Medi nga Andon Kristo.

Të trija këto vëllime janë botuar në “gjuhën tonë” siç u shprehën të dy autorët që vinin përkatësisht nga Grabova dhe nga Elbasani, zona ku edhe komuniteti arumun është i spikatur. Ata ndanë me të pranishmit edhe çaste nga puna si dhe domosdoshmërinë e përcjelljes së gjuhës dhe të njohjes së dialektit arumun nga të rinjtë.

Në këtë takim u përcollën edhe përshëndetjet e ngrohta të Shoqatës Maqedono-Rumune që drejtohet nga zoti Ion Karamitru duke u shpërndarë edhe disa çertifikata mirënjohjeje për disa nga aktorët arumunë në Shqipëri.

Shoqata Maqedono-Rumune e themeluar në 23 shtatorin e vitit 1879 vitin e kaluar përkujtoi edhe 140 vjetorin e aktivitetit të saj. Gjatë gjithë këtyre viteve shoqata punon për idenë e një gjuhe dhe të një kulture që ka origjinën e përbashkët.

Një ndër çastet emocionuese të këtij takimi ishte edhe ndarja e diplomave të nderit për disa kontribues të shoqatës në këto vite aktivitet. Diplomat e ndanë me motivacionin: “Me rastin e 21 tetorit, ditës së krijimit të Shoqatës, vlerësuar për kontributin e dhënë në gjallërimin dhe zhvillimin e traditave kulturore, fetare, folklorike e gjuhësore tek minoriteti arumun në Shqipëri si edhe në aktivitetet për lidhjet vëllazërore me popullin rumun” .

Në fjalën e tij Ambasadori Perpelea përcolli mesazhin e mbështetjes për këto botime sepse “çdo libër është një gur që vihet për kulturën dhe përfaqëson në vetëvete një përpjekje të madhe. Sa më shumë argumenta të ketë një botim, aq më shumë të vërteta ai sjell”.

Ambasadori tha se një gjuhë e folur mirë kuptohet nga të gjithë, duke ju referuar përdorimit të dialektit arumun me të cilin rumanishtja ndan origjinën e përbashkët.

Shoqata Kulturore “Arumunët e Shqipërisë” nxjerr cdo tre muaj organin e saj mediatik gazetën “Fratia”. Gazeta është botim për gjuhën, kulturën dhe historinë e arumunëve.

Këtë vit gazeta përkujton vitin e 24-rt të botimit.

GIF Image

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here